HUMBJA E PEJËS

Njëra nga ndeshjet Bashkimi - Peja të stinorit 2012/13/ BOROZANI/ Erdis Driza/ Arkiv
Humbje pas 667 ditësh
Shkruan: Lis Dorambari
8 February, 2015 @3:21
Ishte data 11 prill, e vitit 2013. Atëherë kur luhej stinori 2012/2013 në Superligë, me emrin e atëhershëm, BKT Superliga.
Atë ditë, skuadra e Pejës ishte mposhtur nga Bashkimi me rezultat 73-69 në Prizren, në kuadër të xhiros 25. Prej asaj dite është dashur të kalojnë plotë 667 ditë për një humbje tjetër të Pejës në pjesën e rregullt të kampionatit në Superligë, duke përjashtuar humbjen në ndërkohë kundër Sigal Prishtinës.
Ky fakt mund të tregojë se sa e rëndësishme dhe madhështore ishte fitorja e djeshme e Yllit kundër pejanëve.
Ekipi nga Suhareka, i cili falë ‘WildCardit’ të shpallur para fillimit të stinorit nga FBK, arriti të sigurojë një vend në Superligë, përveçse po tregon lojëra të bukura, është shndërruar në një ankth për skuadrat kundërshtare, e sidomos kur po luan para tifozëve të flaktë në Suharekë.
Bashkimi kur e kishte mposhtur Pejën atë kohë, kishte në përbërje lojtarë si Kejuan Johnson, Rokas Uzas dhe Mark Dawson, derisa Peja kishte basketbollistin më të mirë në Kosovë, Dardan Berishën, si dhe Samir Shaptahovicin, i cili kohë më parë paralajmëroi pensionimin e tij.
Tani Peja ka në skuadër kampionët e 2012-tës me Trepçën, Drilon Hajrizin dhe Jaleel Nelsonin, të ndihmuar nga Jozo Brkic, Alban Veseli, Janou Rubin dhe të tjerë, mirëpo as këta nuk arritën që skuadra e tyre të dalë kokëlartë nga ndeshja e së shtunës kundër djelmoshave të trajnerit Agron Berisha.
Shumëkush mund da quaj këtë si një befasi, por duke pasur parasysh fitoret e Yllit kundër Trepçës, Bashkimit, si dhe humbjes fare të ngushtë ndaj Sigal Prishtinës, lirisht mund të thuhet se fitorja kundër Pejës, nuk ishte aspak e befasishme.
Rrjedhimisht, tashmë diçka është e sigurtë, se palestra “13 Qershori” në Suharekë, definitivisht nuk do të jetë e lehtë për asnjë kundërshtar.