SHPËTIM IDRIZI

Idrizi: Ishte mëkat që nuk i morëm 3 pikët
10 March, 2021 @16:52
Trepça ‘89 dhe Feronikeli sot u ndanë me nga një pikë nga përballja mes veti. Megjithëse kishte raste të shumta shënimi, ndeshja përfundoi pa gola 0-0, ndërsa lidhur me këtë, trajneri i xehetarëve Shpëtim Idrizi u shpreh duke thënë se ishte mëkat që nuk fituan.
“Ishte një ndeshje e fortë nga të dyja ekipet. Të them të drejtën ndoshta ishte mëkat që nuk i morëm 3 pikët, gjithmonë duke u bazuar në rastet të cilat i patëm e që ishin shumë konkrete, pra ballë për ballë me portierin. Kur nuk i shfrytëzon këto raste, normal që duhet me qenë shumë i kujdesshëm sidomos në minutat e fundit në fazën defansive. Pra kur nuk shënon gjithmonë është ajo rregullorja që thotë se edhe pëson. Por pavarësisht asaj unë deshta t’i falenderoj lojtarët për dëshirën, angazhim e madh dhe disiplinën që po tregojnë. Njëkohësisht uroj edhe treshen e referëve që me të vërtetë kanë qenë perfekt sot”, tha Idrizi pas ndeshjes për televizionin transmetues Art Motion.
Më tej, tekniku mitrovicas u pyet edhe për rastet që kishin futbollistët Mohamed Darwish dhe Arbnor Muja, si dhe nevojën nëse Trepça ‘89 duhej të kishte edhe një sulmues klasik në përbërjen e saj.
“Ne në çdo ndeshje po shënojmë gol, përjashto këtu ndeshjen e sotme ndaj Feronikelit. Normal që jemi të kënaqur me angazhimin dhe mënyrën e lojës që po improvizojnë si Arbnori si Mohamedi në rolin e sulmuesit. Normal na duhet edhe një sulmues, por ne jemi këta që jemi dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e tyre”, përfundoi ai.