TRAJNERI I VITIT
Ish trajneri i Trepçës, më i miri i vitit në Danimarkë
13 May, 2016 @10:28
Emri i trajnerit spanjoll, Israel Martin, ende është i freskët për basketbolldashësit kosovarë.
Martin kishte ardhur në Kosovë në fillim të stinorit 2013/14 për ta drejtuar skuadrën e Trepçës, duke pasur ambicie dhe plane të mëdha, të cilat i kishte deklaruar ekzkluzivisht për Borozani.com qysh në ditët e para si trajneri i Trepçës.
Mirëpo aventura e tij nuk zgjati shumë dhe u largua nga Trepça pas rreth tetë muajve, duke mos lënë edhe aq gjurmë.
Ndryshe nga periudha sa ishte në krye të Trepçës, Israel Martin tani po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij.
Ai aktualisht është duke e drejtuar skuadrën daneze, Bakken, me të cilën është shpallur nënkampion, ndërsa falë këtij suksesi ka fituar edhe çmimin e trajnerit më të mirë të vitit në Danimarkë.
Ky është çmimi i dytë i fituar si trajneri më i mirë i vitit për spanjollin Israel Martin, pas atij të fituar një vit më parë me skuadrën Tindastoll në Islandë.