PERËNDIM
Deklasohet San Antonio, Oklahoma në finale
13 May, 2016 @5:02
Pas Golden State Warriors, finalisti i dytë i Konferencës Perëndimore është Oklahoma City Thunder. Thunder befasoi të gjithë duke mposhtur San Antonion me rezultat 4-2 të serisë pas 6 ndeshjeve, përkundër faktit që Spurs ishin favoritë për të kaluar në finalen e Konferencës Perëndimore.
Ndeshja e gjashtë i takoi plotësisht Oklahomas, të cilët ishin në epërsi të konsiderueshme që nga fillimi i takimit. Në fund të pjesës së parë, epërsia e Thunder arriti të jetë mbi 15 pikë dhe që nga ai moment, fituesi pothuajse ishte i qartë, me San Antonion që nuk kishte fuqi të bënte më tepër. Momenti më i mirë i San Antonios ishte në çerekun e katërt, kur disavantazhin prej 28 pikëve e zvogëluan në 11 pikë, mirëpo skuadrës së Popovich nuk i premtoi koha për ‘rikthim senzacional’, me Oklahoman që kishte krijuar epërsi të konsiderueshme.
Forma e pakontestueshme e Kevin Durant, shpejtësia në kundërsulme e Russell Westbrook dhe shpërthimi në play-off i dyshes Enes Kanter e Steven Adams, ishin faktorët kryesorë për suksesin e Oklahomas në serinë gjysmëfinale ndaj skuadrës së San Antonios.
Kevin Durant ndeshjen e mbylli me 37 pikë e 9 kërcime, kurse Westbrook pati 28 pikë e 12 asistime. Vlen të përmendet edhe paraqitja e mirë e dyshes Ibaka-Adams, të cilët bashkë patën 23 pikë e 21 kërcime. Në anën tjetër, më i dalluari ishte Kawhi Leonard me 22 pikë e 9 kërcime, ndërsa Duncan e Aldridge shtuan 19, përkatësisht 18 pikë.
Në finalen e Konferencës Perëndimore, Oklahoma luan ndaj Golden State Warriors, me ndeshjen e parë të serisë që fillon të hënën. Finalja e Konferencës Lindore nuk është përcaktuar ende.