RIVALI I PLAYOFFIT ME SELEKTOR TË RI
Islanda emëron selektor të ri para ndeshjeve të playoffit me Kosovën
16 January, 2025 @19:48
Përfaqësuesja e Islandës në futboll, që do të duhet të luftojë me Kosovën në përballjet për sigurimin/rënien në Ligë B/C të Kombeve përkatësisht, ka emëruar dje selektorin e ri të saj.
Islandezi që këtë vit do të mbush të 52-tat, Arnar Gunnlaugsson, është emëruar selektor i ri i ekipit kombëtar të Islandës. Islanda bën pjesë në Ligën B të Kombeve dhe si vend i tretë në grupin e saj, do të luajë ndeshje playouti ndaj Kosovës, që ka përfunduar në vend të dytë të Ligës C të Kombeve. Fituesi i përballjeve me sistem vajtje-ardhje do të luajë në edicionin tjetër të Ligës Kombeve në Ligën B, ndërsa humbësi në Ligën C. Kosova asnjëherë nuk ka qenë pjesë e Ligës B të Kombeve.
Arnar Gunnlaugsson ka qenë trajner i ekipit më të njohur islandez, Vikingur, me të cilët ka fituar edhe titullin e vendit por edhe Kupën. Ai dikur ka qenë pjesë e reprezentacionit të ishullit, ndërsa në total ka regjistruar 32 paraqitje duke shënuar tre herë.
Gunnlaugsson ndeshjet e para zyrtare që do t’i drejtojë do të jenë pikërisht ndaj Kosovës, ku Islanda është mysafire në “Fadil Vokrri” më 20 mars, ndërsa tre ditë më vonë në “Enrique Roca” të Murcias në Spanjë, do të zhvillohet ndeshja e kthimit!