Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FFK DËRGON ANKESË NË CAS

FFK-ja çon në CAS Vendimin për Rumania-Kosova

Pamje nga ndeshja Kosova-Rumania, e zhvilluar në shtator 2024/ TOPSPORTI/ A. Paçarizi

FFK-ja çon në CAS Vendimin për Rumania-Kosova


5 December, 2024 @11:49

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur sot përmes një komunikate të lëshuar në faqen zyrtare të saj se ka proceduar në CAS Vendimin e KDE-së së UEFA-së për ndeshjen Rumania-Kosova.

Duke mos dhënë detaje cilin vendim të KDE-së po e atakon, FFK ka bërë të ditur se ka angazhuar ekipin e vetë ligjor, ndërsa është në konsultim me studiot ligjore me përvojë nga Zvicra e Gjermania!

FFK-ja ka shkruar se në këtë betejë ligjore është në kërkim të së drejtës për FFK-në dhe ekipin kombëtar! Kujtojmë, KDE e UEFA-së dënoi Rumaninë me ndeshje nën dyer të mbyllura, si dhe mbi 100 mijë euro gjobë. Ndërsa rezultati i ndeshjes, që në momentin e ndërprerjes ishte 0-0 derisa kishin mbetur edhe 2-3 minuta lojë në fushë, është regjistruar me 3-0 në të mirë të rumunëve, për shkak se Kosova la lojën për shkak të fyerjeve raciste dhe anti-Kosovë nga publiku.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opionionin publik se në afatin e përcaktuar kohor, ka proceduar në CAS (Court of Arbitration of Sport) ankesën ndaj vendimit të UEFA-s në lidhje me ndeshjen Rumani- Kosovë, të datës 15.11.2024.
FFK-ja, përveç angazhimit të ekipit të vet ligjor, është në konsultim edhe me disa studio ligjore me përvojë të madhe me lëndët në CAS, kryesish nga Zvicra dhe Gjermania, për t’ u përfaqësuar në mënyrën e vet më të mirë në këtë betejë ligjore në kërkim të së drejtës për Federatën dhe ekipin tonë Kombëtar.
Federata e Futbollit e Kosovës shpreh besimin e saj të plotë që CAS do të marrë vendim të drejtë e meritor.”
- ka bërë të ditur FFK-ja në njoftim.

Kujtojmë, po me këtë Vendim të KDE-së, Rumania si fituese e Grupit 2 të Ligës C të Kombeve u kualifikua në Ligën B të Kombeve. Ndërkaq Kosova si vend i dytë në grup, është shortuar të luajë me Islandën në playoff për Ligën B, gjatë marsit të vitit të ardhshëm. Kosova në këtë ndeshje është dashur të shënojë fitore minimale me 0-3 në Bukuresht për të shpresuar për të dalë e para në grup.

Këtë Vendim të KDE-së së UEFA-së është thënë se do ta atakojë edhe Suedia me Federatën e saj, pasi që me fitoren e marrë në tavolinë, Rumania ka dalë mbi Suedinë në renditjen përfundimtare të ekipeve të Ligës C, duke shtuar një mundësi për playoff drejt Botërorit 2026. Shorti për Botërorin 2026 mbahet më 13 dhjetor të këtij viti.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve