PAS KONFIRMIMIT PËR LARGIM

Ivan Koljevic tregon arsyet e largimit
23 March, 2021 @11:36
Njëri ndër basketbollistët më të dalluar të Trepçës këtë stinor, prej se erdhi aty, Ivan Koljevic, papritmas u largua nga ekipi mitrovicas.
Largimi i tij ngjalli shumë reagime, pasi që ka qenë njëri ndër basketbollistët më të mirë të skuadrës dhe Trepça kur filloi përforcimet nisi ngritjen në ligë, nisi të fitojë ndeshje të rëndësishme dhe tashmë me gjasa reale për PlayOff.
Ndërsa lojtari, pas konfirmimit të largimit të tij nga trajneri Serhat Sehit, ka bërë të ditur pse është larguar nga skuadra.
“Më duhej të largohesha nga skuadra për shkak të arsyeve familjere. Falemnderit KB Trepça, për momentet e paharrueshme dhe paq fat në basketbollin kosovar,” ka shkruar Koljevic në një postim të tijin në rrjetin social Facebook.
Malaziasi Koljevic, përkundër se 36-vjeçar, ka pasur mesatare prej 20.5 pikëve për ndeshje, 4.8 kërcimeve dhe 9.6 asistimeve për skuadrën mitrovicase, përgjatë ndeshjeve që ka luajtur aty.
Trepça aktualisht, tre xhiro para fundit të stinorit të rregullt, është në pozitën e gjashtë që çon në PlayOff.
Mirëpo, ekipi mitrovicas i drejtuar nga turku Sehit, ende nuk e ka siguruar atë, pasi që ka një pikë më tepër sesa Sigal Prishtina që gjendet nën ta dhe në pozitë të PlayOutit, ndërsa dy më shumë sesa Vëllaznimi që është i fundit dhe me rrezik rënie nga Superliga.