GAME 1: GSW - SPURS
Kampioni tregon forcën, 1-0 ndaj Spurs
14 April, 2018 @23:33
Në duelin e parë të Play Off-it të sivjetëm në NBA, kampioni në fuqi, Golden State Warriors, ka shënuar fitore ndaj skuadrës së San Antonio Spurs, për të krijuar epërsi 1-0 pas ndeshjes së parë.
Steph Curry mungoi te njëra skuadër, ndërsa Kawhi Leonard mungoi te skuadra tjetër, mungesa të cilat e bënë këtë sfidë më të ‘mangët’ për basketbolldashësit, mirëpo mund të thuhet që mungesa e Steph Curryt nuk u vërejt aq shumë te vendasit, të cilët zhvilluan një ndeshje shembullore dhe e mbyllën duelin me fitore 113-92.
Për dallim nga dy muajt e fundit, periudhë në të cilën Warriors kishin aplikuar mbrojtje tejet të dobët, sonte kjo skuadër u tregua tejet e mirë në këtë aspekt të lojës, duke e detyruar kundërshtarin që të shpërdorojë shumë akcione dhe të humbë shumë topa, ndërsa në anën tjetër, GSW me sulmin e fuqishëm të udhëhequr nga Kevin Durant e Klay Thompson pothuajse gjatë gjithë kohës kishte epërsi mbi 10 pikë.
Më i dalluari te Warriors sonte ishte Klay Thompson me 27 pikë, pikë të cilat u shënuan pasi lojtari në fjalë gjuajti me përqindje tejet të lartë nga loja, kurse te Spurs u veçuan Rudy Gay me 15 pikë si dhe LaMarcus Aldridge e Bryn Forbes me nga 14 pikë të tjera. Për t’u mos u harruar te Spurs është legjenda Manu Ginobili, i cili përkundër moshës 40-vjeçare, zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë.
Ndeshja e dytë e serisë mes këtyre dy skuadrave zhvillohet në mëngjesin që lidh të hënën dhe të martën e ardhshme (mëngjesi i datës 17 prill).