SERIA E KOLUMNEVE PËR PLAYOFF (2)
Çerekfinalet e Euroligës: Fenerbahçe Doğuş – Baskonia Vitoria Gasteiz
Shkruan: BLERIM MYFTIU
14 April, 2018 @21:00
Kampioni aktual i Euroligës, Fenerbahçe Doğuşi, ka pasur një stinor stabil dhe pa luhatje shumë të mëdha. Ekipi i kompozuar prej tri vitesh kishte arritur gradualisht të kapërcente në çdo stinor nga një hap duke e arritur atë më të madhin vitin e kaluar. Në fund të stinorit të kaluar humbi dy lojtarë shumë domethënës, Bogdan Bogdanovićin dhe Ekpe Udohn. Prandaj, i tërë stinori i rregullt kaloi në shenjë të përshtatjes së Nicolo Mellit, Jason Thompsonit dhe Brad Wanamakerit në ekip.
Nëse i shtojmë që playmakeri kryesor i ekipit, Muhammed Ali u ballafaqua me lëndimin e gjatë dhe me gjasë nuk do të jetë në nivel as për përfundimin, Wanamaker duket se ka arritur që të gjejë hapësirë të mirë për veten dhe të ndihmojë që point-guardi i vjetër, Kostas Sloukas, të jetë më dorëlirë dhe më penetrues në sulm. Duke i shtuar ritmit të sulmit agjilitet dhe efikasitet.
Jan Veselý dhe Ekpe Udoh patën krijuar një dyshe goxha të mirë nën kosh vitin e kaluar. Edhe Veselý ishte në kërkim të angazhimit në NBA, kështu që u krijua lloj frike në Stamboll se ekipi do të mbetej pa të dytë. Kontrata milionëshe me korporatën Doğuş, e bëri Fenerbahçen stabile edhe më stabile, por mbetja e Veselýt i dha frymë duke e bërë atë njërën prej qendrave më dominuese të ligës me 13 pikë të shënuara për ndeshje. Por ngulitjet dhe motivimi i publikut nga ana e tij mbesin ndër kontributet më të mëdha që mund t’i bëjë.
Përballë vetes do ta ketë një qendër po aq dominuese dhe atraktive, siç është gjeorgjiani Toko Shengelia që shënon rreth 14 pikë për ndeshje dhe është kërcyesi i tretë më i mirë i ligës me 6.2 për ndeshje.
Dueli i nxehtë pritet të ndodh edhe në gjuajtjet nga distanca. Nëse themi se James Nunnally ka arritur përqindjen më të mirë të dytë në historinë e Euroligës me 59.5% të tresheve të shënuara, kurse Johannes Voigtmann atë të tretë më të mirë me 58.5%, atëherë kuptohet më mirë se për çfarë bëhet fjalë. Nuk prish punë nëse këta qëllojnë të jenë të heshtur. Në anën e turqve, edhe Ali Muhammedi, Luigi Datome, Marko Gudurići dhe Kostas Sloukasi kanë mbi 40% të saktësisë për treshe, kurse në anën e spanjollëve, përveç Voigtmannit të lartcekur, edhe Marcelo Huertas, Jānis Timma, Roddy Beaubois, Jayson Granger dhe Lucas Vildoza janë në grupin e mbi 40%-ve.
Kjo është hera e katërt rresht për Fenerbahçe Doğuşin që paraqitet në playoff. Kujtojmë që vitin e kaluar startuan nga pozita e pestë dhe nuk e kishin epërsinë e terrenit kundër Panathinaikosit. Dy shfaqje mjeshtërore të Bogdanovićit në Athinë dhe një fitore vulosëse në Stamboll e bëri që për të tretën herë rresht ta kalojnë çerekfinalen me 3-0. Baskonia vjen në çerekfinale në formën ndoshta më të mirë, ngase ishte ekipi që e zuri trenin e fundit duke fituar 6 nga 7 ndeshjet e fundit. Prandaj, mund të jetë arrë e fortë për kampionin dhe kualifikimi nuk do të ishte aq sensacional sa ai i Khimkit.
DATAT E NDESHJEVE:
18 prill | Fenerbahçe - Baskonia | ||
20 prill | Fenerbahçe - Baskonia | ||
24 prill | Baskonia - Fenerbahçe | ||
26 prill | Baskonia - Fenerbahçe | ||
1 maj | Fenerbahçe - Baskonia |