NGA MBLEDHJA E KE-së

Pamje nga ndeshja e Kosovës ndaj Qipros në kuadër të Ligës së Kombeve/ Foto: FFK
KE konstaton se kualifikimi është i arritshëm!
14 October, 2022 @14:04
Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se Komiteti Ekzekutiv i saj ka mbajtur mbledhjen e vet të radhës, ndërsa ka diskutuar “shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës”.
Ndër të tjera, sipas njoftimit të FFK-së është analizuar edhe shorti i UEFA-së për EURO 2024 ndërsa KE ka konstatuar se “një short i tillë nuk është i lehtë por jo edhe i paaritshëm, ndaj Kosova e sheh si mundësi të mirë kualifikimin për në EURO 2024”.
Gjithashtu, njoftimi lidhur me mbledhjen e KE-së së FFK-së ka vazhduar me kërkesë për angazhim të madh që të arrihet synimi.
“Duke parë që gjasat janë jashtëzakonisht reale dhe një momentum i artë për kualifikim, FFK-ja kërkon nga të gjithë një angazhim të madh dhe një mbështetje nga tifozët, populli i Kosovës, nga Diaspora e në veçanti nga mediat për një pasqyrim sa më të madh dhe më të mirë.” — ka shkruar njoftimi i FFK-së lidhur me analizën dhe konstatimin e KE-së!
Kujtojmë, shorti për EURO 2024 u mbajt në Frankfurt të Gjermanisë më 9 tetor 2022, ndërsa Kosova u bë pjesë e Grupi I kualifikues për në EURO 2024, ndërsa si kundërshtarë do të ketë (radhazi, sipas vazove): Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellurisinë dhe Andorrën.
Të gjitha këto duele do të luhen përgjatë vitit 2023, ndërsa datat e ndeshjeve të Kosovës mund t’i gjeni këtu.