SLLOVENIA
Kek: Ndaj Kosovës duhet të jemi më agresiv
12 November, 2020 @14:39
Në ditën kur Kosova luajti miqësore ndaj Shqipërisë dhe u mposht 2-1, kundërshtari i radhës i saj në Ligë të Kombeve, Sllovenia u ndesh me Azerbajxhanin.
Sllovenët barazuan ndaj Azerbajxhanit, që drejtohet nga ish-selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi, 0-0.
E selektori slloven, Matjaz Kek, pas ndeshjes së djeshme dhe gjendjes së futbollistëve të tij ka analizuar lojën dhe tashmë ka të qartë çka i duhet atyre ndaj Kosovës.
“Ishte shumë e nevojshme një ndeshje e tillë ndaj Azerbajxhanit. E pamë ku jemi. Ndaj Kosovës do të jetë e patjetërsueshme të ngrisim nivelin e lojës dhe të tregohemi më agresivë në duele, përndryshe do të dalim nga loja,” ka thënë Kek, transmetojnë mediat sllovene sot fjalët e tij.
“Duhet të jemi më të shpejtë pas krosimeve. Ne dje nuk kemi krijuar mjaft për t’i dhënë mundësi sulmit. Duhet të sulmojmë hapësirat,” ka shtuar ai.
TABELA AKTUALE, NDESHJET E RADHËS DHE REZULTATET
Ai ka folur edhe për lojtarin më të dalluar të Sllovenisë, Josip Ilicic, i cili i është kthyer ekipit pas periudhës jo të mirë që kaloi për shkak të pandemisë.
“Poenta është se Ilicic nuk do të mund t’i zgjidh ndeshjet i vetëm. Nëse dëshirojmë t’ia japim topin vetëm atij, nuk do të jetë mirë për ne. Ai do të duhet të ndihmohet nga bashkëlojtarët dhe kështu të krijohet. Të thuash ia dhashë topin Ilicicit nuk është alibi për detyrën tënde në fushë,” ka theksuar Kek për Sport-TV të Sllovenisë.
Ndeshja Sllovenia - Kosova është e parafundit në Ligën C të Kombeve Grupi 3 për të dyja skuadrat. Derisa Sllovenia po kërkon kualifikimin si fituese e grupit dhe mundësinë për një biletë drejt Botërorit, Kosova në anën tjetër do të duhet të kërkojë pikë, ashtu që të shpëtojë nga rënia në Ligën D.
Ndeshja Sllovenia-Kosova do të zhvillohet më 15 nëntor me fillim prej orës 20:45 në Stozice të Ljubljanës. Duelin e parë mes skuadrave në grup, Sllovenia e fitoi minimalisht në Prishtinë, 0-1.
Sllovenia dhe Greqia po luftojnë për vendin e parë në këtë grup, ndërsa Kosova e Moldavia për mbijetesë në këtë ligë.