PAS 3 STINORËVE NË SUPERLIGË
Kerasani bie nga elita
16 April, 2018 @0:01
Pas tre stinorëve të kaluara, Kerasan Prishtina, që nga stinori i ardhshëm nuk do të jetë më pjesë e elitës së basketbollit kosovar.
Kjo, pasi që fitorja e Pejës të dielën ndaj Yllit, ia humbi gjasat ekipit të dytë nga kryeqyteti për mbijetesë përmes, së paku Play-Outit.
Stinori i parë i Kerasanit në Superligë kishte kaluar në shpëtim për shkak të tërheqjes së Kastriotit nga garat. Arsyet financiare kishin bërë që ekipi nga Ferizaji të dorëzohet nga garat. Kerasani përmes Play-Outit shpëtoi stinorin 2015/16.
Stinori 2016/17 përsëri e gjeti Kerasanin në Play-Out, edhepse me bilanc të njejtë si Vëllaznimi 2-26 nga 28 xhiro. Bilanci më i mirë nga ndeshjet ndërmjet veti, kishte bërë që Kerasani të shpëtojë përmes Play-Outit përsëri, ku mposhti finalistin e Ligës së Parë.
E ky stinor, që ka qenë më i miri për Kerasanin në histori, ku ka arritur për herë të parë 4 fitore përgjatë stinorit të rregullt në Superligë - do të ndërprejë për një kohë qëndrimin e ekipit në Superligë, pasi që Peja e Borea me bilanc 7-20 po luftojnë t’i ikin Play-Outit, e prishtinasit po bien me aktualisht 4-22, tre ndeshje para fundit të stinorit.