SERIA E KOLUMNEVE PËR PLAYOFF (4)
Çerekfinalet e Euroligës: Panathinaikos Superfoods – Real Madrid
Shkruan: BLERIM MYFTIU
15 April, 2018 @21:00
Nëse i katërti dhe i pesti i stinorit të rregullt takohen, atëherë mund të thuhet se kjo është seria më e barabartë dhe më e përafërt, prandaj pritet të jetë edhe më i paparashikuari. Këtë e shijoi vjet Panathinaikosi i cili startoi po nga vendi i katërt, por “u fshi” nga (e pesta) Fenerbahçeja me 3-0. Ndodh prapë sivjet? Pse jo, kur Reali është rekorder me 9 tituj kampioni të kontinentit të vjetër dhe në vete e ka wunderkidin, Dončić.
Ky do të jetë ballafaqimi i parë i këtyre klubeve në play-off. Nuk janë takuar as në Final Four me njëri-tjetrin. Nga ndeshjet janë ndarë me numër barabartë fitoresh. Stinorin e rregullt e kanë përmbyllur me bilancin 19 fitore e 11 humbje. Nëse viti i kaluar kur Panathinaikosi është eliminuar përkundër avantazhit të fushës merret si përjashtim, duhet theksuar se OAKA Arena mbetet kështjellë nga e cila rrallëherë del dikush fitues pos të gjelbërve të Athinës. Prandaj, me këtë bilanc të barabartë statistikash dhe fuqish në mes këtyre dy titanëve, avantazhi i fushës do të jetë ndoshta përcaktuesi.
Superylli i ri i basketbollit evropian, ylli i Eurobasketit të vjetëm, “Dražen Petrovići” i ri i Evropës, i cili me gjasë do të bartet në Amerikë këtë verë, Luka Dončić, ka arritur pjekurinë e hershme sivjet duke qenë në çdo aspekt lider i ekipit. Në mungesë të Sergio Llullit të lënduar i cili ndoshta u bë sebepi kryesor i klasifikimit të dobët të Realit sivjet, ai u shndërrua në makinën dhe lokomotivën e ekipit duket u bërë lojtari më i dobishëm i stinorit me Indeks mesatar të performansës prej 22.7 për ndeshje.
Përballë tij do të jetë Nick Calathes, i cili duket se sivjet arriti një pjekuri dhe produktivitet më të lartë me ekipin e tij. Ai është asistuesi dhe vjedhësi më i mirë, si edhe lojtari i pestë më i dobishëm i ligës, kështu që ky do të jetë një duel i dy liderëve të pakontestueshëm të ekipeve të tyre. Përveç duelit rreth harkut të jashtëm, përplasje të forta do të kemi edhe ndërmjet shtatlartëve. Ky do të jetë dueli i më të gjatëve nën kosh me Augustein, Gabrielin, Gistin, Singletonin dhe Vougioukasin në njërën anë dhe Ayonin, Randolphin, Reyesin e Tavaresin në anën tjetër.
Xavi Pascual, trajneri shumëvjeçar i Barcelonës, do të ballafaqohet me “mikun” e vjetër, Pablo Lason. Duke qenë se Panathinaikosi është ndër tri ekipet që pranon më së paku pikë për ndeshje (76.4), kurse Reali shënon më pak vetëm se CSKA-ja (85.9 për ndeshje), atëherë shihet qartë se ndeshja do të kalojë ndërmjet mbrojtjes së grekëve dhe sulmit të spanjollëve. Aq më shumë kur tradicionalisht, Reali përbëhet nga snajperistët e shtigjeve të gjata.
DATAT E NDESHJEVE:
17 prill | Panathinaikos - Real Madrid | ||
19 prill | Panathinaikos - Real Madrid | ||
25 prill | Real Madrid - Panathinaikos | ||
27 prill | Real Madrid - Panathinaikos | (në rast nevoje) | |
1 maj | Panathinaikos - Real Madrid | (në rast nevoje) |