SERIA E KOLUMNEVE PËR PLAYOFF (3)
Çerekfinalet e Euroligës: Olympiacos – Žalgiris
Shkruan: BLERIM MYFTIU
15 April, 2018 @8:30
Ky do të jetë ballafaqimi i vetëm ku përveç se ndeshen në letër me njëri-tjetrin një klub grek dhe lituan, mund të thuhet se edhe praktikisht ndeshen dy klube greke dhe lituane. Ngase, bërthamën dhe pjesët më të rëndësishme të ekipit e përbëjnë vendësit – grekë dhe lituanë. Ngase, në asnjë klub tjetër të Euroligës, lojtarët vendës nuk kanë kaq rëndësi dhe peshë për ekipin. Prandaj, do të jetë vërtet një duel grek-lituan.
Pas CSKA-së, Olympiacosi paraqet ekipin e dytë me pjesëmarrje pothuajse të vazhdueshme në play-off. Në 11 paraqitjet e ekipit nga paralagjja e Athinës, kanë rezultuar dy trofe të njëpasnjëshme më 2012 dhe 2013, nën udhëheqjen e Dušan Ivkovićit nga stoli dhe të Vassilis Spanoulisit nga loja. Nga ana tjetër, për Žalgirisin me të kaluar të lavdishme në Euroligë, do të jetë paraqitja e parë në playoff, kuptohet pas vitit 2005. Edhe për trajnerin lituan, Šarūnas Jasukevičiusin, do të jetë hera e parë që e shijon play-offin nga stoli (kurse për pjesëmarrjet dhe titujt si lojtar as që duhet përmendur).
Spanoulisi dhe kompania përbëjnë njërën prej skuadrave më kompakte me bërthamë të pasur lojtarësh vendës grekë, që prej stinorit në stinor e ndërrojnë ndonjë “pjesë rezervë” të ekipit, sigurojnë që pas Ivkovićit filozofia e tij të jetojë përmes trajnerit aktual, Ioannis Sfairopoulisit. Përveç Spanoulisit i cili është shënuesi i dytë dhe asistuesi i parë më i mirë në play-off i Euroligës, Georgios Printezis, Kostas Papanikolaou, Vangelis Mantzaris dhe Ioannis Papapetrou, të gjithë kanë ndeshje dyshifrore. Kjo bërthamë ka fituar dy tituj (2012 dhe 2013) dhe është mposhtur në dy finale të tjera (2015 dhe 2017) në 6 paraqitje të fundit.
Žalgirisi, në anën tjetër, përbëhet nga lojtarë me shumë përvojë, me shumë ndeshje evropiane, por vetëm njëri prej tyre (Vasilije Micić) ka luajtur play-off, kur ka qenë pjesë e Crvena Zvezdës para dy vitesh. Derisa Olympiacosi njihet si ekip specialist për t’i zgjidhur ndeshjet e ngushta në rezultat, edhe Žalgirisi sivjet ka pasur më së shumti ndeshje të fituara me nën 5 pikë dallim.
Edhe pse Spanoulisi shënoi një rënie të lehtë në statistika sivjet, ai mbetet dirigjenti kryesor i lojës dhe gjithsesi jetëgjatësia e ekipit, e bën Olympiacosin (tok me CSKA-në dhe Fenerbahçen) njërin prej klubeve më stabile në Final Four. Žalgirisi do të udhëhiqet nga Jasikevičiusi i cili katër herë ka fituar Euroligën, ka luajtur pesë herë në play-off dhe nga secila seri, ai ka dalë triumfues. Žalgirio Arena, kompleksi më i madh në Evropë, është i nxehtë – aty mund të bie në gjunjë gjithkush. Gjasat për Žalgirisin duken të vogla, por gjithsesi besoj që kjo do të jetë seria më interesante e çerekfinaleve.
DATAT E NDESHJEVE:
18 prill | Olympiacos - Zalgiris | ||
20 prill | Olympiacos - Zalgiris | ||
24 prill | Zalgiris - Olympiacos | ||
26 prill | Zalgiris - Olympiacos | ||
1 maj | Olympiacos - Zalgiris |