GAME 1: CELTICS - BUCKS
S’e ndalin mungesat, Celtics fiton dramën në ‘TD Garden’
15 April, 2018 @22:16
Përkundër shumë mungesave nga formacioni bazë, skuadra e Boston Celtics arriti ta fitojë duelin e parë të serisë ndaj Milwaukee Bucks. Të drejtuar nga Brad Stevens, që edhe sonte u tregua gjenial në drejtimin e skuadrës përkundër mungesave si Kyrie Irving, Marcus Smart e Gordon Hayward, Celtics takimin e mbyllën me rezultatin përfundimtar 113-107, takim ky që për ta përcaktuar fituesin pati nevojë për ‘overtime’.
Ndeshja në përgjithësi ishte e barabartë, ndërsa ishte skuadra e Bostonit ajo që zakonisht shkëputej për pak pikë në rezultat. Në një moment në çerekun e katërt, epërsia e Bostonit arriti deri në 10 pikë, mirëpo Bucks hynë në bonus afro 8 minuta para përfundimit të ndeshjes, gjë që iu ndihmoi atyre të afroheshin në rezultat falë numrit të madh të gjuajtjeve të lira.
Kur ndeshja ishte shumë pak sekonda para fundit dhe rezultati ishte i barabartë, Terry Rozier me një treshe e çoi rezultatin në 99-96 për Bostonin, ndërsa i la kohë mysafirëve vetëm një gjysmë sekondi për ta barazuar rezultatin. Edhe pse u mendua se ai gjysmë sekondi është i pamjaftueshëm për të shënuar, Middleton me një “catch & shot” fantastik shënoi për 99-99, për ta dërguar kështu ndeshjen në ‘overtime’.
E në vazhdime, përkundër shkëlqimit të Giannis Antetokounmpo, Bucks u detyruan të pajtohen me humbje, pasi që vendasit u treguan skuadër më e mirë në 5 minutëshin e shtesave dhe ndeshjen e mbyllën me fitore 113-107.
Sa i përket lojtarëve, te Bucks u veçua dyshja Antetokounmpo-Middleton, të dy me nga mbi 30 pikë, kurse te Celtics katër lojtarë të ndryshëm shënuan mbi 20 pikë. Më i dalluari ishte Al Horford me 24 pikë e 12 kërcime, ndërsa për t’u përmendur është edhe ‘rookie’ Jayson Tatum me 19 pikë e 10 kërcime përkundër moshës 20-vjeçare, si dhe paraqitja fantastike e Terry Rozier në momentet vendimtare të duelit.
Ndeshja e dytë e serisë mes këtyre dy skuadrave zhvillohet të mërkurën në mëngjes me fillim nga ora 02:00 në TD Garden.