KOSOVA
Kosova U14, pjesë e turneut në Bullgari
Teksti: FBK
6 September, 2018 @16:34
Pas Kampit Nacional të organizuar në fillim të muajit korrik në kuadër të projektit të FIBA Evropës për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF), tani radha i vie turneut ndërkombëtar në Sofje të Bullgarisë, ku Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) do të përfaqësohet me dy ekipe (djem/vajza) deri në moshën 14 vjeçare.
Dy ekipe nga Kosova kanë udhëtuar sot për në Sofje, ku prej 7 deri më 9 shtator do të jenë pjesë e turneut ndërkombëtar në kuadër të këtij projekti të FIBA Evropës, që organizohet nga Federata e Basketbollit të Bullgarisë.
Krahas Kosovës dhe Bullgarisë, pjesë e këtij projekti janë edhe Federata e Basketbollit të Turqisë, Rumanisë dhe Maqedonisë.
Kosova në të dyja konkurrencat do t’i zhvillojë nga 4 ndeshje gjithsej.
Në këtë turne kanë udhëtuar gjithsej 24 fëmijë (12 djem dhe 12 vajza), 4 trajnerë dhe 2 koordinatorë.
Duhet theksuar se Federata e Basketbollit të Kosovës në dy vitet e kaluara ka qenë pjesë e këtij projekti të përbashkët me Federatat e lartpërmendura, por vetëm në konkurrencën e meshkujve, derisa në dy vitet e ardhshme ky projekt do të implementohet për të dyja konkurrencat, meshkuj dhe femra.
Në kuadër të këtij projekti dyvjeçar do të zhvillohen gjithsej 5 turne dhe 2 Kampe Nacionale.