MAQEDONI
Kumanova mposht kampionin dhe bëhet lider
27 November, 2013 @14:28
Kumanova mbrëmë ka shënuar edhe fitoren e katërt me radhë në shtëpi në kuadër të Balkan League. Ata kanë arritur t’i mposhtin kampionët aktual të kësaj lige, izraelitët e Galil Gilboas.
Ndeshja ishte aq e barabartë sa u deshën vazhdimet për të përcaktuar fituesin e kësaj përballjeje, ku në fund maqedonasit befasuan izraelitët.
Për Kumanovën ka shkëlqyer transferi i ri i tyre, Royce Parran duke shënuar 33 pikë mahnitëse dhe 7 kërcime e 6 asistime, derisa serbi Vukasin Mandic ka qenë vendimtar në vazhdime kur ka ngritur epërsinë për ekipin e tij në katër pikë, para fundit. Mandic shënoi 21 pikë në total.
Te kampionët e befasuar u dalluan dyshja amerikane Rick Jackson me 26 pikë e 8 kërcime, derisa DeShawn Sims shtoi 16 pikë të tjera në humbjen e dytë të tyre.