MATTHIAS ZOLLNER
Largohet pas 44 ditëve
4 October, 2018 @14:13
Me “Danke Matthias!” Prishtina ka përshëndetur përmes Facebookut trajnerin e parë të këtij edicioni nga skuadra.
Sikurse paralajmëruam dje te TopSporti, ka qenë vetëm çështje çasti largimi i trajnerit gjerman, Matthias Zollner, nga skuadra e Prishtinës, pas debaklit në Basketball Champions League nga Donar Groningen dhe ndarjes së lojtarëve në tabore brenda skuadrës.
“Prishtina dhe trajneri Matthias Zollner kanë ndarë rrugët. Pas analizave të mirëfillta të bëra nga kryesia në bashkëpunim me Zollnerin, ka ardhur deri te pajtimi i dyanshëm që të ndërprehet marrëveshja dhe nga sot gjermani të mos jetë në krye të ekipit tonë,” ka shkruar njoftimi i bardhekaltërve botuar sot në faqen zyrtare të tyre në Facebook.
Zollner përndryshe drejtoi Prishtinën në 5 ndeshje zyrtare në total. Ai në përballjen e parë zyrtare fitoi Superkupën e Kosovës duke e mposhtur Bashkimin. Më pas, fitoi me 20+ Donar Groningenin në duelin e parë kualifikues për Ligë të Kampionëve të Basketbollit (fitorja e parë e një ekipi kosovar në këtë garë), ndërsa në ndeshjen e kthimit u mposhtën 25+, që i eliminoi. Në ndërkohë, fitoi edhe dy përballjet e para të stinorit të ri të Superligës dhe në total me bilanc 4 fitore, 1 humbje dhe 1 trofe të fituar, gjermani largohet nga skuadra pas vetëm një muaji qëndrim aty!
Zollner u zyrtarizua si trajner i Prishtinës më 21 gusht, ndërsa sot edhe zyrtarisht u shkarkua, pas 44 ditëve.