Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRANSFERI AFATGJATË!

Talenti Arjol Bllaca prej 2 Korrikut, kalon te kampioni - Ballkani

Talenti Arjol Bllaca prej 2 Korrikut, kalon te kampioni - Ballkani


4 September, 2023 @23:24

Ballkani në orët e vona sonte ka zyrtarizuar përforcimin e radhës në ekip, ndërsa ka bërë të ditur se mesfushori i ri është njëri ndër talentët më premtues të futbollit të Kosovës.

Arjol Bllaca me 18 vjet kalon prej ekipit të 2 Korrikut të Prishtinës te kampioni i dyfishtë i Kosovës dhe pjesëmarrësi i Ligës së Konferencës për të dytin vit me radhë — Ballkani!

Njoftimi i lëshuar sonte, ka bërë të ditur se Ballkani i beson Arjolit kontratë 5-vjeçare duke e bërë atë lojtar të klubit nga Suhareka deri më qershor të vitit 2028.

“Kemi kënaqësinë ta prezantojmë para jush mesfushorin e ri, Arjol Bllaca, i cili është bashkuar me skuadrën kampione.
18 vjeçari erdhi tek ne nga ekipi i 2 Korrikut, teksa është prej talentëve më premtues të futbollit kosovar.
Klubi ka lidhur kontratë 5 vjeçare me Arjolin (deri më 2028), derisa lojtarit i uron shumë suksese drejt arritjes së objektivave tona të përbashkëta.”
— ka bërë të ditur KF Ballkani në njoftim.

Ndërkaq vetë klubi i 2 Korrikut në njoftimin e lëshuar gjithashtu sonte, ka bërë të ditur se nuk i pengon asnjë talenti për të kërkuar të ardhmen e tij dhe ka mirëkuptuar dëshirën e futbollistit të talentuar që ka luajtur për Kosovën U15, U17 dhe U19.

“FC 2 Korriku konfirmon për opinionin e gjerë sportiv se ka arritur marrëveshje me FC Ballkani për transferimin e futbollistit 18-vjeçar, Arjol Bllaca.

Klubi i 2 Korrikut, ka vendosur që ta miratojë kërkesën për transferim të futbollistit Bllaca në klubin nga Suhareka, gjithnjë pas diskutimeve me vet futbollistin, i cili po ashtu ka shprehur dëshirën që ta bëjë të mundur kalimin tek klubi në fjalë.

Arjol Bllaca

Sakaq, klubi kryeqytetas, ashtu siç edhe ka të ndërtuar filozofinë e punës, ka vendosur që të mos vendosë asnjë pengesë lidhur me këtë lëvizje në ditët e fundit të afatit kalimtar, ndonëse largimi i mesfushorit premtues do të thotë shumë për skuadrën në vijimin e kampionatit.

Klubi i 2 Korriku është shumë krenar me futbollistin Arjol Bllaca, e njëkohësisht shumë i lumtur me mundësinë që i është ofruar atij për t’u bërë pjesë e një klubi që po korrë suksese të njëpasnjëshme në futbollin vendor dhe jo vetëm.

Arjol Bllaca si futbollist është rritur tek Shkolla e Futbollit “2 Korriku”, dhe deri më tani nuk është aktivizuar për asnjë klub tjetër përpos atij “verdheblu”. Bllaca në mënyrë konstante ka qenë pjesë e grumbullimeve me moshat U15, U17 dhe U19 të Kosovës, çka dëshmon qartazi për potencialin që ai posedon si sportist.” — ka shkruar ndër të tjera njoftimi i KF 2 Korrikut sonte.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga