BALLKANI VAZHDON ME PERFEKSION!
Përforcimet e verës kombinojnë si zëvendësime në debutim, për Ballkanin perfekt
3 September, 2023 @21:36
Arb Manaj ka shënuar golin e fitores, derisa Walid Hamidi ka asistuar. Ballkani ka regjistruar fitoren e tretë në tre ndeshje të zhvilluara në Superligë, për të qenë perfekt me nëntë pikë.
Dyshja që kombinuan për fitoren e Ballkanit, u futën si zëvendësues nga Ilir Daja në pjesë të dytë të ndeshjes për të sjellë fitoren e radhës për kampionin, që tashmë do të nis përgatitjet për fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Ballkani 2-1 Gjilani [Albin Berisha 19’, Arb Manaj 78’ - Oltion Bilalli 58’].
Ballkani ka dominuar plotësisht pjesën e parë të ndeshjes. Ka pasur 5-6 raste të mira për shënim, por ka qenë vetëm Albin Berisha që ka bërë dallimin. Të tjerët nuk arritën të kalojnë Aridon Bllacën në portë të Gjilanit.
E motivi i fituar në pjesë të dytë bëri që Gjilani të kërkojë golin. Dhe atë e gjeti. Kundërsulme të mençura që futnin lojtarët në raste konkrete, për të shënuar Oltion Bilalli për barazim. Më pas, ka qenë vetëm Enea Koliçi që shpëtoi Ballkanin, pasi që dy raste të mira të gjilanasve, e veçanërisht goditja e Edison Kqikut ishin tepër të rrezikshme.
Pastaj në skenë doli freskia dhe përvoja. Daja reagoi me zëvendësime, ndërsa Manaj bëri dallimin për të mbajtur Ballkanin perfekt me 9 pikë nga 3 ndeshje. Ai debutoi sot te Ballkani, bashkë me Hamidin.
Ballkani me 9 pikë aktualisht është i dyti në renditje, me pikë të njëjta si Malisheva lidere që ka zhvilluar një ndeshje më shumë. Suharekasit janë duke shkuar në mënyrë më të mirë në të dyja frontet, gara evropiane dhe Superligë.