SHTESË TE KAMPIONI!
Bernard Karrica - lojtar i ri i Ballkanit
6 September, 2023 @0:06
Futbollisti ofanziv i krahut, që ka prezantuar Shqipërinë U19 dhe U21, Bernard Karrica është lojtar i ri i kampionit të Kosovës. Ballkani sonte ka bërë të ditur që ka shtuar edhe gjakovarin në ekip, ndërsa ky i fundit ka luajtur në Kroaci kryesisht, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e Goricës sllovene.
Karrica 22-vjeç që luan në të dy krahët e sulmit, ka dalë nga Dinamo Zagreb II, ndërsa më pas kaloi te Hrvatski Dragovoljac për tu bërë më pas pjesë e Rijekës prej ku shkoi te Gorica sllovene. Te ekipi i fundit, ai ka luajtur 799 minuta në elitë të futbollit slloven, ndërsa ka shënuar një gol, në 15 paraqitjet që i ka pasur aty për këto minuta.
“Me kënaqësi njoftojmë të gjithë dashamirët tanë se skuadrës kampione i bashkohet edhe Bernard Karrica.
22 vjeçari që ishte pjesë edhe e shpresave të Kombëtarës së Shqipërisë (U-21), ka luajtur për disa skuadra të Kroacisë, përfshirë Rijekan dhe Dinamo Zagrebin.
Klubi i dëshiron Karricës suksese në arritjen e objektivave tona të përbashkëta.” - ka bërë të ditur Ballkani në njoftim.
Detajet e marrëveshjes nuk janë zyrtarizuar e as kohëzgjatja e kontratës, ndërsa sipas Transfermarkt, vlera e futbollistit në fjalë është 300 mijë euro.