NGA KONFERENCA PARA NDESHJEVE TË SHTATORIT!
Cikalleshi: Kualifikohemi nëse luajmë si një trup!
4 September, 2023 @15:53
Shqipëria bën pjesë në Grupin E kualifikues për EURO 2024 që do të mbahet në Gjermani. Prej 3 ndeshjeve të para, Shqipëria ka tubuar 6 pikë, ndërsa në shtator ka dy ndeshjet më të rëndësishme, ndaj dy rivalëve më të fortë të grupit, Çekinë jashtë dhe Poloninë brenda.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen ndaj çekëve që janë liderë të grupit aktualisht dhe të vetmit pa humbje në grup më 7 shtator me fillim prej orës 20:45 në Fortuna Arena të Pragës, ndërsa refer kryesor do të jetë anglezi Anthony Taylor, me ndihmës kryesorë Gary Beswick dhe Lee Betts.
Pas kësaj ndeshjeje, më 10 shtator Shqipëria pret Poloninë në Air Albania të Tiranës, në ora 20:45, ndeshje për të cilën janë shitur të gjitha biletat dhe stadiumi do të ketë të 22 mijë e 500 shikuesit aty.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE
Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht sot përgatitjet dhe stërvitjet në kuadër të dy ndeshjeve ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Në konferencën për mediat ka dalë këtë të hënë sulmuesi Sokol Cikalleshi që ka folur për dy sfidat e rëndësishme që kuqezinjtë do të luajnë fillimisht ndaj çekëve në Pragë më 7 shtator ndërsa tre ditë më vonë ndaj Polonisë më 10 shtator në stadiumin ‘Air Albania’.
Sulmuesi Sokol Cikalleshi premtoi se Kombëtarja shqiptare do të japë maksimumin në këto dy ndeshje deçizive për kuqezinjtë ndaj Çekisë dhe Polonisë, ndërsa u shpreh se ëndrra e tij është që të arrijë sërish kualifikimin në finalet e një Europiani me Shqipërinë. Bomberi shqiptar komentoi situatën e mirë që po kalojnë të gjithë lojtarët e Kombëtares në klubet respektive, ndërsa foli edhe për fillimin e tij të mbarë në kampionatin turk me Koniasporin.
EURO 2016 dhe dy sfidat e ardhshme të Shqipërisë – Mendoj se ky grumbullim është ndër grumbullimet më të rëndësishme të Kombëtares gjatë gjithë këtyre viteve. Janë dy ndeshje që duhet të jemi shumë të fokusuar dhe angazhimi duhet të jetë maksimal. Për mua është kënaqësi e dyfishtë sepse e kam përjetuar një Europian dhe nëse do të përjetoj për herë të dytë, karriera me Kombëtaren do të kishte një kuptim tjetër. Shpresoj që si unë, ashtu edhe lojtarët e tjerë që e kanë arritur në 2016, të mundohemi të bëjmë diçka më shumë jashtë fushe për të dhënë mesazhin e duhur te grupi, që fokusimi dhe dhe angazhim të jetë maksimal.
Forma e mirë që po kalojnë sulmuesit shqiptarë – Jemi në fillim sezoni dhe të gjithë sulmuesit e kanë nisur mirë me gola. Kemi bërë detyrën dhe kemi marrë benefitet e asaj pune që kemi bërë gjatë fazave përgatitore. Për të pasur sukses duhet të funksionojnë të gjitha repartet dhe besoj që me përgatitjet që do bëjmë këto ditë, do bëjmë maksimumin që edhe në fushën e lojës në këto dy ndeshje, si sulmuesit, por edhe lojtarët e reparteve të tjera të japin maksimumin për të arritur fitoren dhe rezultatet pozitive në këto dy ndeshje. Vetëm duke dhënë 100% tonë, besoj se mund të arrijmë ato rezultate.
Sa të rëndësishme janë këto dy ndeshje? – Janë deçisive. Më e mira do të ishte të shënonim sa më shumë dhe të merrnim tre pikët dhe të ktheheshim të gjithë të gëzuar. Por nuk është kaq e lehtë sepse Çekia është një ekip shumë i mirë, që ka eksperiencë në Europë. Nuk do të jetë e lehtë dhe për këtë arsye angazhimi duhet të jetë maksimal. Në grumbullimin që kaloi, ne thjesht bëmë detyrat e shtëpisë. Ishin dy ekipe nën nivelin tonë, por nuk duhet të kënaqemi nga kjo arritje. Kjo është java që do të dalin burrat në shesh, duke nisur nga ne në fushën e lojës. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj dhe të tifozëve. Si një trup i vetëm, ia dalim të plotësojmë ëndrrën që ne kemi. Të kualifikohemi në Europian. Mendoj se do të vuajmë shumë për të marrë rezultat pozitiv. Por jemi gati për këto dy sfida. Jemi në një moment të mirë. Fusha e lojës do ta tregojë. Angazhimi dhe shpirti në fushë nga ana jonë do të jetë maksimal, jua siguroj.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE
Motivimi për këto kualifikuese – Nuk jemi Kombëtare që e arrijmë Botërorin çdo 2-4 vite. Tashmë kemi mundësinë të realizojmë një ëndërr për ne, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ky është frymëzimi më i mirë. kemi arritur vetëm njëherë, kemi mundësi ta bëjmë sërish. Këto dy ndeshje janë më të rëndësishmet. Nuk dua të flas vetëm për ëndrrën për t’u kualifikuar. Mund të hapë punë ndeshja që është me Ishujt Faroe apo Moldavinë më vonë. Por duke qenë se ne kemi një objektiv të qartë, që ne duhet të kualifikohemi, atëherë ne duhet të nisim që nga ndeshja me Çekinë dhe të harrojmë ndeshjet e tjera. Në ndeshjen me Çekinë duhet të futemi për të mrrë rezultatin maksimal, për të marrë 3 pikët. Nëse nuk e arrijmë atë gjë, atëherë, duhet të mos dalim të humbur.