MERR SHTETËSINË
Arbnor Muja merr pasaportën shqiptare - pritet ftesa nga Sylvinho!
17 August, 2023 @9:13
Mesfushori i krahut, Arbnor Muja, pritet të debutojë në ndeshjet e shtatorit për kombëtaren shqiptare. Kjo, pasi që futbollisti i Antwerpit sot edhe zyrtarisht ka marrë pasaportën shqiptare, ndërsa pas mos-pasjes së rastit te Kosova, ai duket se përfundimisht ikën drejt Shqipërisë së Sylvinhos.
Panorama Sport ka bërë të ditur sot se mitrovicasi 24-vjeçar është pjesë e listës së Sylvinhos për ndeshjet e vështira të shtatorit ndaj Çekisë dhe Polonisë. Ndërkaq, ka qenë Pablo Zabaleta njeriu që e ka bindur Mujën për fanellën kuqezi, pas ndeshjeve të përcjellura të tij me ekipin belg.
Muja ka luajtur me Kosovën U-21. Ka qenë i ftuar për seniorët në mars me Kosovën. Por, ai nuk u shfrytëzua asnjë minutë. Arbnori kishte kaluar te Drita në Antwerp pas paraqitjeve brilante të tij në ndeshjen kualifikuese për Ligë të Konferencës verën e kaluar.
“Arbnor Muja është lojtari më i ri i Kombëtares shqiptare. Gazeta mëson se 24- vjeçari është pjesë e listës së Silvinjos për dy ndeshjet e muajit shtator që ekipi kombëtar do të luajë, në transfertë ndaj Çekisë më 7 shtator dhe me Poloninë në “Air Albania” tri ditë më vonë.” — ka shkruar në nëntitullin e lajmit për Mujën te Panorama Sport tiranase sot.