SPURS

REUTERS/Arkiv
Leonard mjaftoi për 76ers
2 December, 2014 @9:18
Në mungesë të dyshes me përvojë, Tim Duncan dhe Tony Parker, në skenë doli Kawhi Leonard për të mposhtur Philadelphian në ndeshjen e radhës të San Antonio Spursit.
Leonard shënoi më së shumti pikë në ndeshje, 26, ndërsa ai shënoi edhe treshen vendimtare në minutën e fundit të ndeshjes që i dha epërsinë e pakapshme, ekipit të tij, 109-103.
Spurs (13-4), te të cilët u kthye trajneri Gregg Popovich, luajti pa Duncanin (pushim) dhe pa Parkerin (lëndim krahu). Mirëpo, kjo nuk paraqiti problem për kampionin aktual të SHBA-ve duke mos pasur shumë problem për të mposhtur Philadelphian, pa fitore ende këtë stinor.
Fitores së tetë me radhë te San Antonio i ndihmuan edhe Aron Baynes me 15, Manu Ginobili dhe Cory Joseph me nga 14 pikë të shënuara secili.
Humbja e radhës për Philadelphia 76ersin e bën atë ekipin e katërt në histori me 17 humbje radhazi dhe pa fitore në stinorin e ri.
Los Angeles Clippers në 1998/99, Miami Heat 1988/89 - kanë arritur këtë bilanc negativ. Ndërsa nëse nuk fitojnë as në ndeshjen e radhës, atëherë do të barazohen me serinë më negative në histori të arritur nga New Jersey Nets 2009/10, me 18 humbje radhazi në stinor të ri.