STATS

BOROZANI/Erdis Driza
Më të mirët e BIBL, sipas statistikave
1 December, 2014 @10:57
Basketbollisti i Sigal Prishtinës dhe lojtari më i mirë në Superligën e Kosovës në dy stinorët e fundit, Dardan Berisha, është lojtari më efikas në Balkan League.
Dardani e Samiri - snajperë
Basketbollisti i Sigal Prishtinës, ka përfunduar pjesën e parë të fazës grupore me mesatare prej 29 pikëve për ndeshje, duke lënë pas tij Aleksandar Kostoskin e Kumanovës me 24.3 pikë për ndeshje.
Përveç Berishës, te koshashënuesit më efikas, bën pjesë edhe verdheziu, Samir Shaptahovic. Playmakeri i Pejës ka mesatare prej 21.5 pikësh për ndeshje dhe zë pozitën e tretë te lista e koshashënuesve më të mirë të garës.
Si përfundoi pjesa e parë?
Balkan League ka përfunduar pjesën e parë të ndeshjeve, ndërsa nga java e ardhshme fillojnë ndeshjet e kthimit në grupe.
Sigal Prishtina ka përfunduar e dyta në Grupin B, pas Kozuvit me bilanc të qindpërqindtë, prej të cilëve edhe ka humbjen e vetme.
Në anën tjetër, Peja është në pozitën e katërt të Grupit A, me bilanc të njejtë sikurse edhe Sutjeskta, 2-2. Kumanova dhe Rilski janë liderë të grupit ku bën pjesë Peja.
Dy ekipet e vetme ende pa fitore në të dy grupet e BIBL, janë: Teodo e Tivatit dhe Vllaznia e Shkodrës. Vllaznia është debutuese në këtë garë këtë stinor.
Ndeshjet e kthimit nisin javën tjetër
Qendra boshnjake e Sigal Prishtinës, Edin Bavcic, është i dyti te kërcyesit më të mirë të ligës ballkanike, derisa te asistimet nuk bën pjesë asnjë lojtar i ekipeve kosovare.
Sa i përket produktivitetit në lojë, aty lider është Aleksandar Kostoski i Kumanovës, me koeficientin 25, derisa pas tij vjen menjëherë Samir Shaptahovic me 24 dhe Dardan Berisha me 21.8.
Më 9 dhjetor nis pjesa e dytë e fazës grupore të BIBL, derisa Prishtina udhëton në Shkodër, Peja i shkon Kumanovës së fortë.
(Statistikat janë marrë nga faqja zyrtare e Balkan League)
Liderët statistikorë në BIBL, pas fundit të fazës së parë grupore:
SHËNUESIT MË TË MIRË: | KËRCYESIT MË TË MIRË: | ASISTUESIT MË TË MIRË: | LOJTARËT MË PRODUKTIV: |
Dardan Berisha PRI - 29 pikë | Drasko Albijanic KOZ - 11.5 kërcime | Nikola Korac MOR - 6.5 asistime | Aleskandar Kostoski KUM - 25P |
Aleksandar Kostoski KUM - 24.3 pikë | Edin Bavcic PRI - 9 kërcime | Aleksandar Kostoski KUM - 6 asistime | Samir Shaptahovic PEJ - 24P |
Samir Shaptahovic PEJ - 21.5 pikë | Anthony Gugino RIL - 9 kërcime | Vukasin Mandic KUM - 5.8 asistime | Dardan Berisha PRI - 21.8P |
Julian Norfleet RIL - 19.5 pikë | Nemanja Gavrancic VLL - 8 kërcime | Nikola Pavlicevic SUT - 5.8 asistime | Drasko Albijanic KOZ - 21P |