EDICIONI 2021/22
Liga Unike me stinor të rregullt dhe me rregulla për të huajt
12 July, 2021 @14:40
Liga Unike në konkurrencë të meshkujve këtë stinor 2021/22 do të kthehet në pjesën garuese që ishte menduar në fillim të saj.
Katër skuadra nga Kosova dhe 4 të tjera nga Shqipëria do të garojnë për titullin e më të mirit mbarëkombëtar duke u takuar nga dy herë me njëra-tjetrën në formë të kampionatit, me sistemin vajtje-ardhje.
Kështu, do të luhen 14 xhiro të rregullta duke nisur nga fundjava e 20-21 tetorit 2021, ndërsa katërshja më e mirë do të shkojë drejt PlayOffit ku edhe do të përcaktohet kampioni i Ligës.
Kujtojmë, në stinorin e kaluar të parin të Ligës Unike, fitues doli Golden Eagle Ylli që në finale mposhti Pejën. Gara u zhvillua në sistemin eliminator, për shkak të pandemisë dhe nisi nga Final 8 për të shkuar drejt finales.
Sa u përket të huajve pjesëmarrës, është bërë e ditur që Federatat përkatëse janë vendimtare.
“Klubet pjesëmarrëse në Ligën Unike u nënshtrohen rregullave të Federatave kombëtare rreth regjistrimit të lojtarëve të huaj dhe transferimit të tyre,” ka shkruar njoftimi.
Kurse, në fushë të lojës do të mund të jenë maksimalisht 3 të huaj. Muaji gusht është përcaktuar si muaj ku do të hidhet shorti për orarin e ndeshjeve të garës. Ndërsa para saj do të organizohet edhe Superkupa mbarëkombëtare.