PRIZREN
Liria mbyll fazën përgatitore, gati për kampionat
7 August, 2024 @12:39
Skuadra që ra nga Superliga në stinorin e kaluar, Liria, ka bërë të ditur dje se ka mbyllur fazën përgatitore për edicionin e ri të garave. Liria, që ishte pjesë e Superligës në stinorin e kaluar dhe përfundoi në vend të fundit duke rënë direkt në Ligë të Parë përsëri, kësaj radhe tenton rikthimin e menjëhershëm në elitë.
Pasi që ndanë rrugët me Erdogan Brandon dhe siguruan shërbimet e Granit Begollit si trajner të ri të ekipit të parë, ekipi prizrenas kaloi fazën përgatitore në Strugë të Maqedonisë së Veriut, mes së cilash edhe barazuan në një miqësore me Voskla Sportin, 1-1, ku për bardhezinjtë shënoi përforcimi i ri i ekipit, futbollisti me përvojë Fiton Hajdari.
Pas fazës përgatitore në Strugë, Liria kthehet në Prizren ku do të bëhet gati përfundimisht për edicionin 2024/25 të Ligës së Parë - Grupi A. Ky do të jetë edhe edicioni i fundit garues me dy grupe në Ligën e Parë, ndërsa prej stinorit 2025/26 Liga e Parë do të jetë e bashkuar.
Përndryshe, Liria do t’ia nis stinorit më 17-18 gusht në “Përparim Thaçi” si vendas, ndërsa do të ketë punë me Trepçën shumë të konsoliduar në derbi të Grupit A të Ligës së Parë dhe ky duel pritet të tërheq mjaft simpatizantë edhe në publik.
Liria ka kryer një numër të madh të përforcimeve për këtë stinor, ndërsa ka siguruar shërbime testuese edhe të gjashtë të huajve, që vinë nga Afrika. Bashkë me bazën vendore të ekipit si dhe përforcimet me përvojë si Fiton Hajdari, Visar Berisha dhe të tjerë, do të synojnë së paku dy vendet e para në atë që është stinori i fundit i Ligave të Para të ndara. Prej edicionit 2025/26 Liga e Parë do të përbëhet nga 18 ekipe, e përbashkët, jo si deri tash, me Grupin A dhe B.