IKJA E PARË

Foto: KFLlapi/fb
Llapi ndërpren bashkëpunimin me Fernandinhon
29 May, 2023 @13:27
Një ditë pas përfundimit të stinorit, KF Llapi ka bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me futollistin brazilian, Fernandinho [Fernando Augusto].
“KF Llapi njofton opinionin se me marrëveshje të dyanshme ka vendosur të ndërpres bashkëpunimin me mbrojtësin e majtë, Fernando Augusto - Fernandinho. Fernandinhos i dëshirojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës si dhe e falenderojmë për kontributin e dhënë për klubin tonë gjatë këtij edicioni.” - ka shkruar KF Llapi në njoftimin e botuar sot.
Braziliani 29-vjeçar që ka pasur 26 ndeshje kampionale dhe 10 të tjera për Llapin këtë stinor, ka shënuar dy gola dhe ka bërë 3 asistime për ekipin e drejtuar nga Tahir Batatina, që kreu stinorin në pozitën e shtatë të renditjes tabelare, ndërsa nuk ka siguruar daljen në gara evropiane.
Fernandinho në Transfermarkt vlerësohet deri në 250 mijë euro, ndërsa nga KF Llapi shkon si lojtar i lirë. Kontrata e tij me KF Llapin ka qenë njëvjeçare.