NË PËRBALLJEN FUSHË KOSOVA - MEGASPORT
Lojtarët nga banka në fushë, ekipi humb me rezultat zyrtar
13 November, 2018 @14:51
Në Ligën e Dytë të basketbollit ende ka ndodhi që s’i përkojnë sportit dhe sportivitetit në përgjithësi.
Informatori i pestë i Ligës së Dytë të Kosovës në basketboll ka bërë të ditur se ekipi i Fushë Kosovës ka humbur ndeshjen ndaj Megasportit me rezultat zyrtar, pasi e gjithë banka e vendasve është futur në fushë pas ndëshkimit të basketbollistit Valdat Nuradini.
Nuradini ishte ndëshkuar me gabim teknik nga gjyqtari kryesor i takimit, Genc Vitaku, e pas këtij ndëshkimi bashkëlojtarët nga banka ishin futur në fushë dhe në mungesë të kushteve për të vazhduar ndeshjen, gjyqtari e ndërpreu atë.
Me këtë rast, Fushë Kosovës nuk i ka takuar as pika e humbësit, ndërsa Megasportit i është regjistruar ndeshja me fitore 2-0 dhe ka marrë dy pikë tjera në klasifikim.
E basketbollisti në fjalë, Nuradini, është suspenduar me dy ndeshje moslojë, 350 euro gjobë dhe 25 të tjera për gabimin teknik, ka shkruar Informatori Nr. 5 i Ligës së Dytë.