ARBËRIA 1-0 BESA
Lutfi Bilalli sjell 3 pikë jetike për Arbërinë
11 November, 2020 @16:16
Ka përfunduar seria e humbjeve për Arbërinë e Dobrajës së Lipjanit sot. Skuadra e drejtuar nga Arbnor Morina ka shënuar fitore pas katër humbjeve radhazi në Superligë, duke e mposhtur Besën e Pejës me rezultat minimal 1-0 [Lutfi Bilalli 77].
Pjesa e parë kaloi pa gola në ndeshje. Bile, deri në minutën e 35 të ndeshjes nuk ka pasur asnjë goditje nga skuadrat në korniza të portave.
E tek në minutën e 36 erdhi një goditje dhe atë shumë e rrezikshme. Ka qenë Syla i Besës që tentoi nga largësia, por Donat Kaçiu shpëtoi portën e vendasve.
Më pas, Dior Zabërgja humbi një rast të mirë për vendasit, kur nuk arriti të qëlloi portën pas një rasti kur u gjend vetë para golit të Besës.
Në pjesë të dytë, deri sa erdhi goli Arbëria regjistroi tre gjysmëraste. Së pari ka qenë Lutfi Bilalli (49), më pas Kreshnik Bahtiri (53) e përsëri Bilalli (62) - por portieri i Besës ka qenë në vend.
E 15 minuta më vonë, pas një degazhimi të Kaçiut, Bilalli u gjend mirë për të shënuar për golin e fitores. Deri në fund, iniciativa e Besës nuk rezultoi me gol dhe kështu Arbëria ndërpreu serinë negative të saj.
Me fitore Arbëria u ngrit në pozitën e gjashtë, duke i ikur zonës së rrezikshme, ndërkaq Besa tashmë është në fund të klasifikimit.
Në xhiron që vjen, Arbëria i shkon Feronikelit, ndërsa Besa pret kampionen, Dritën.