FUTBOLLISTI OFANZIV
Malisheva transferon lojtarin e Ballkanit
31 August, 2024 @7:58
Skuadra e Malishevës ka bërë të ditur dje se ka arritur marrëveshje me Ballkanin për transferimin e futbollistit ofanziv të ekipit suharekas, Vesel Limaj. I lindur në Freising të Gjermanisë, 27 vjeçari Limaj më parë ka luajtur në Bylis, Kukësi, Tirana dhe Hermannstadt para se të kaloj te kampioni i Kosovës.
Vlera e tij e trasferit në Transfermarkt si transfer potencial llogaritet të jetë rreth 30 mijë euro. Malisheva ka shkruar se është jashtëzakonisht e kënaqur me transferimin e tij, ndërsa e ka përshkruar atë si një përforcim të duhur për ekipin.
“Me nënshkrimin e marrëveshjes me ekipin tonë, Limaj do të sjellë eksperiencën dhe talentin e tij në fushën tonë.
Një mjeshtër i vërtetë në kontrollin e topit dhe në ndërtimin e lojës, me një qetësi të jashtëzakonshme dhe qëndrueshmëri të lartë, gjithmonë në lëvizje është në gjendje të mbështesë të dyja aspektet e lojës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.” ka shkruar ndër të tjera FC Malisheva në njoftim.
Ekipi që drejtohet këtë stinor nga Bekim Isufi dhe që debutoi gjatë verës në gara evropiane për herë të parë në histori, aktualisht në Superligë pas dy ndeshjeve të para të luajtura ka një fitore dhe një barazim. Këtë fundjavë, Malisheva luan pikërisht kundër ish ekipit të Limajt, Ballkani.