SIGAL PRISHTINA

BOROZANI/Erdis Driza/Arkiv
Me shikim kah fitorja
27 October, 2014 @18:15
Djelmoshat e Sabit Hadzic kërkojnë fitore në ndeshjen e nesërme ndaj Craiovas rumune, në takimin e Grupit B të ligës ballkanike.
Sigal Prishtina dëshiron të vazhdojë serinë e fitoreve në BIBL, pas atyre ndaj Vllaznisë dhe Mornarit, derisa kundërshtari më i fuqishëm i grupit, Kozuv, do të pushojë këtë xhiro.
“Ndeshje tejet e rëndësishme për të dyja ekipet, sidomos për ne, pasi që luajnë para tifozëve tanë. Nëse dëshirojmë të arrijmë pozita të larta në Balkan League, ne nuk guxojmë të humbim asnjë ndeshje si vendas,” ka thënë ndër të tjera trajneri boshnjak i kampiones së Kosovës, Sabit Hadzic.
Orari i ngjeshur i Sigal Prishtinës ka lënë pak kohë për tu përgatitur për këtë ndeshje, pasi që dje ata luajtën derbin e xhiros së katërt të Superligës ndaj Bashkimit në Prizren, derisa nesër vjen Craiova.
Sigal Prishtina ka bilanc të barabartë me Craiovën nga stinori i kaluar i ligës ballkanike. Derisa Craiova kishte ardhur në Prishtinë ta fitojë Sigal Prishtinën, kryeqytetasit kishin ngadhënjyer në Rumani.
Përndryshe, kjo është ndeshja e dytë e rumunëve në Grupin B dhe të parën e humbën si vendas nga kundërshtari që duket të jetë më i fuqishmi i grupit, Kozuv.