Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FEUILLETON: MJ (2)

Michael Jordan (2) Më i miri i ekipit

Michael Jordan (2) Më i miri i ekipit


25 April, 2020 @11:00

Pjesa e dytë (LEXO: pjesën e parë)

Sidoqoftë, vjen dita kur Michael Jordan një ditë zgjohet nga gjumi në shtëpin e tij dhe para vetes sheh Dean Smithin.

• ARDHJA E “NJERIUT QË ECËN MBI UJËRA” •

MJ ishte 17 vjeç.

Smith ishte trajner i baskebollit në Universitetin e North Carolinës. Ai kishte dëgjuar se diku në provincë është një djalosh me vesh të lëshuar, disi si karakteri i filmave vizatimorë Dumbo, me këmbë të holla që mezi mbahej horizontalisht dhe me gishta të vegjël – që do të mbanin të gjithë basketbollin botëror në duar!

Michael Jordan score North Carolina NCAA

Smith ka qenë njeriu që nuhaste. Nuk e kanë thirrë kot atë me nofkën “njeriu që ec mbi ujëra”. Ai me dekada ka punuar si trajner i Universitetit North Carolina. “Axha” Smith Michaelin e ri e solli në Universitet bashkë me disa të tjerë të moshës së njëjtë. E këta më shumë kalonin kohë në parket të palestrës së Universitetit sesa në bibliotekën e saj, për të cilin edhe ishin regjistruar aty. Pos Jordanit Smith kishte kapur rrugës edhe Sam Perkinsin dhe James Worthyn – dy ish NBA lojtarë, të cilët gjeneratat e vjetra i njohin.

• HAPI I JASHTËZAKONSHËM •

Në North Carolina u vërejt menjëherë hapi i parë rrufe i MJ-it. Thuhet që hapi i parë në depërtim i Jordanit ka qenë më i shpejti në katër dekadat e fundit. Referët në NCAA kanë pasur dilema se a është duke i shkaktuar Jordan hapat në çdo tentim depërtimi të tij. E “axha” Dean organizon seminar me referë ku me video inçizime të ngadalësuara u tregon secilit se për çfarë fenomeni bëhet fjalë dhe sa ai nuk ishte duke bërë hapat, por kishte hapin e pare të jashtëzakonshëm!

Michael Jordan

Michael Jordan ia sjell titullin e kampionit North Carolinës, duke shënuar në sekondën e fundit të ndeshjes. Deri atëherë, ekipi kishte fituar vetëm një titull të NCAA-së. Në vitin 1957. E me Jordanin ata fitojnë të dytin në histori, 25 vite më vonë, në 1982. E Jordanin, në atë sekondë të fundit, kishte tentuar ta bllokonte një kundërshtar, që do të bëhej gjithashtu i famshëm në vitet e ’90-ta, Patrick Ewing. Por Ewing nuk e dinte se përballë kishte vetë historinë e basketbollit.

• MË I MIRI I EKIPIT •

Në 1984 u kuptua se Chicago Bulls mirrte një supertalent në ekip, por askush s’e paramendonte se në 12 vitet e ardhshme ata do të ndërtonin qendrën më moderne të basketbollit për atë kohë në SHBA, United Center. Kush ka mundur të parashikojë se Jordan do t’i sillte Chicagos tituj të NBA-së?!

Vetëm disa javë pasi që nënshkroi për Bulls, në stërvitje të ekipit tregon se është më i miri nga të gjithë. Trajneri Kevin Loughery kishte vendosur Jordanin te ekipi i kuq, i ndau lojtarët dhe loja do të luhej deri në 11. Ekipi humbës do të detyrohej të bënte sprint përreth palestrës nga jashtë, dy herë.

Kevin Loughery

Ekipi i kuq po fitonte 9:3. Loughery ndal ndeshjen. Jordan duhet të kalojë te ekipi i bardhë. Bashkëlojtari i tij te të kuqtë Gene Banks, mendoi. “Gjithsesi do t’i japim dy kosha dhe unë s’do të vrapoj tërë palestrën sprint.”

• URREN HUMBJEN •

Jordan që e urren humbjen, ashtu u nxeh për lojë sa që katër lojtarët tjerë në ekip vetëm vraponin lart-e-poshtë. Shënoi shtatë pikë, gjashtë prej tyre duke ngulitur. Trajneri Loughery duke qeshur me rezultatin e ndeshjes 11:9 në të mirë të të bardhëve, ra nga karrigia e tij. Ndërsa Gene Banks gazetarit të parë që e pa në qytet i tha: “Shkruaj: Ky është Zot!”

“Ky është Zoti, ka ardhur në tokë si Michael Jordan!” – do ta shihni, kishte “kërcënuar” Banks.

Michael Jordan Chicago Bulls dunking

Dy vite më vonë, të njëjtën do ta thoshte edhe i madhi Larry Bird. Jordan në PlayOff ndaj Bostonit kishte shënuar 63 pikë. Një ndeshje më parë, ai kishte shënuar 49 pikë. Në mbrojtje lojtarët ndërroheshin për ta ndalë atë. Lojtarë, që ishin ndër më të mirët e kohës në NBA. Ata ishin thuajse të rregullt në ekipin e vitit. (Vazhdon nesër, pjesa e tretë)


 
Të gjitha lajmet nga NBA