ADIS BECIRAGIC
Mos shënimet nga pozitat e hapura, ndikuan
3 September, 2021 @23:01
Trajneri i KB Ylli, Adis Beciragic, në deklaratën e tij pas ndeshjes gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës të humbur nga KB Trepça ka treguar ndër të tjera edhe arsyet e humbjes së ekipit të tij.
“Krijuam shuëm raste të hapura për shut përgjatë 35-minutave lojë dhe kur ato nuk shfrytëzohen atëherë bie edhe mbrojtja, sepse kjo ndikon psiqikisht te lojtarët,” ka thënë fillimisht trajneri që bëri kampion për herë të parë në histori Yllin.
“Pastaj më duhet të them, jo si arsyetim, Gëzimi [Morina], [Barret] Benson dhe Justin [Martin] kanë nisur stërvitjet me ekipin këtë të hënë. I tërë ekipi ka bërë dy stërvitje të plota, pasi që deri tash kemi kryer stërvitje me shtatë lojtarë. E me ekipe të tilla të përgatitura mirë duhet të jesh edhe ti shumë mirë i përgatitur. Uroj kundërshtarin për fitoren,” ka shtuar Beciragic.
Trepça mposhti Yllin me 12 pikë epërsi në gjysmëfinale të Superkupës, 81-69, për të siguruar finalen e garës.
Ndërsa sa i përket kampionatit që nis pas dhjetë ditësh, trajneri boshnjak i suharekasve ka thënë se ata do të bëjnë gjithçka për të përmirësuar lojën e tyre, përndryshe do të hasin në vështirësi.
“Natyrisht, gjithçka varet nga lojtarët, por do të bëjmë ekipin më të komponuar sepse pas dhjetë ditësh nis kampionati. Ne gjithsesi do të përmirësojmë basketbollin tonë, përndryshe do të kemi probleme me ekipet tjera,” ka thënë ai.
Ndërkaq në fund, u pyet nëse është i kënaqur me përforcimet e huaja të skuadrës.
“Tash për tash jam i kënaqur, edhe pse nuk i kam parë ende si duhet në lojë. Dy kanë ardhur këtë të hënë dhe do të jetë jo e arsyeshme po të flasë për cilësitë e tyre. Mirëpo në ditët në vijim gjithçka do të kuptohet,” ka thënë në fund trajneri i Yllit, Adis Beciragic.