TREPÇA 81-69 YLLI
Start i fuqishëm për të eliminuar kampionin dhe arritur finalen
3 September, 2021 @20:58
Trepça është finalistja e dytë e Superkupës së Kosovës, pasi që në përballjen gjysmëfinale mposhti Yllin, kampionin aktual të Kosovës.
Mitrovicasit pas startit të furishëm që patën me 9-0 e mbajtën atë deri në fund të ndeshjes për të fituar në fund 81-69 [21-14, 16-15, 23-20 dhe 21-20].
Ekipi i drejtuar nga Lubomir Minchev në secilin çerek ka shtuar epërsinë për të fituar komod në fund, me 12 pikë dallim.
Më efikasi te Trepça në fitore ka qenë Samir Zekiqi që ka shënuar 20 pikë për ekipin e tij dhe ndaj ish-ekipit të tij.
Me nga 12 pikë ndeshjen e përfunduan edhe Drilon Hajrizi e Taurus Cockfield, ku ky i fundit bëri edhe 10 asistime për të kryer ndeshjen me double-double.
Te ekipi kampion, që kësaj radhe u ndal në ndeshje zyrtare nga mitrovicasit pas dy humbjeve në miqësore, më efikasi ka qenë Erjon Kastrati me 15 pikë.
Brandon Randolph dha 14 pikë e e 8 kërcime, ndërsa Mikaile Tmusic kreu ndeshjen me 12 pikë e 3 asistime.
Të dielën, Trepça ka siguruar finalen ndaj Prizrenit-16 ku do të ndeshen në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve për trofeun e parë të stinorit.