SEMSETTIN BAS
Baş tregon çka ndikoi te humbja e Pejës
3 September, 2021 @22:05
Trajneri turk i Pejës, Şemsettin Baş, pasi pa ekipin e tij të humb në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës nga KB Prizreni ka thënë se në këtë ndikuan mungesat e dy lojtarëve vendor të ekipit me përvojë.
“Ende nuk jemi gati 100% ndërsa dy lojtarë vendor me përvojë, Lisi [Shoshi] dhe [Rron] Grapci kanë qenë të lënduar. Çereku i parë ka qenë i mirë për ekipin tonë dhe fillimi i çerekut të dytë. Pastaj ramë në sulm dhe pranuam shumë kundërsulme,” ka thënë fillimisht ai sa i përket ndeshjes së sotme.
Më pas ai u pyet edhe për kundërshtarët e Superligës dhe si ju dukën skuadrat pjesëmarrëse që në vijim të stinorit do të ndeshen në kampionat.
“Përveç Dritës, krejt ekipet tjera janë të mirë. Asnjëra s’është ende në 100%-shin e saj. Të gjitha ekipet domethënë janë të mira. Nuk ka ekip të dobët. Ndërsa ekipi që më së miri do të komponohet do të fitojë në fund,” ka përfunduar deklaratën e tij pas ndeshjes trajneri i KB Peja, Baş.
Peja që kishte eliminuar Prizrenin në gjysmëfinale të PlayOffit në stinorin e kaluar, sonte u mposht nga skuadra prizrenase, të cilët arritën finalen e Superkupës së Kosovës dhe të dielën do të luftojnë për trofe.