ARBNOR RIFATI
Rifati tregon ku u bë dallimi dhe synimet e KB Prizreni
3 September, 2021 @22:18
Trajneri i KB Prizreni, Arbnor Rifati, në deklaratën e tij pas fitores së ekipit të tij ndaj KB Peja sonte dhe arritjes së finales së parë dhe historike të klubit të tij në basketbollin kosovar ka thënë se ku është ai, ekipi i tij lufton gjithnjë për majet e basketbollit.
Ai së pari u pyet për fitoren ndaj Pejës, që e kishte eliminuar në tavolinë Prizrenin në PlayOffin e stinorit të kaluar.
”Çdo fitore është e ëmbël për ne. Kemi luftuar si burrat, edhe në vitin e kaluar kështu kemi bërë. Ka qenë ndeshje e fortë dhe e zjarrtë. Në çerekun e dytë bëmë dallimin dhe pastaj kah fundi iu dhashë rastin edhe lojtarëve të ri. Jemi për herë të parë në finale në histori të klubit dhe për këtë më së shumti i uroj lojtarët,” ka thënë Rifati.
Sa i përket skuadrave të Superligës dhe kampionatit, pasi që të gjitha u panë me së paku një ndehsje në turneun e Superkupës, Rifati ka qenë i qartë.
“Ku është Arbnor Rifati, ai ekip synon majet. Ku jam unë nuk luftohet për mbijetesë. Shoh pak mungesë të përgatitjes fizike te ekipet, por në përgjithësi veten e shohim sipër, ndërsa liga do të jetë shumë e fortë sivjet,” ka shtuar ai ndër të tjera.
KB Prizreni për herë të parë në histori të klubit ka arritur finalen e një gare dhe tashmë do të luftojë për trofeun e parë të dielën, kur në finale të Superkupës e pret Trepça, që eliminoi kampionin aktual të Kosovës në gjysmëfinale Yllin.