DUKAGJINI - PRISHTINA

Mposhtet nga Dukagjini, Prishtina 7 xhiro pa fitore
5 March, 2022 @15:00
Një tjetër paraqitje zhgënjyese për Prishtinën e drejtuar nga Abdulah Ibrakoviq.
Skuadra më e trofeshme e futbollit kosovar u mposht sot 2-1 (Mentor Zhdrella 9’, Altin Merlaku (P) 44’ / Mendurim Hoti 17’) nga Dukagjini në Klinë, për të shkuar kështu në 7 xhiro pa fitore, thellim i rekordit negativ sa i përket xhirove radhazi pa fitore.
E para në epërsi kaloi skuadra vendase, kur Mentor Zhdrella shënoi për 1-0 në minutën e 9’. Goditja e Zhdrellës ndonëse nuk ishte aq e fortë, aksidentalisht i rrëshqiti nga duart portierit Nika të Prishtinës dhe topi përfundoi në rrjetë.
Barazimi i Prishtinës erdhi shpejt, me Mendurim Hotin që shënoi për 1-1 (17’) pas krosimit të ardhur nga Oto John prej krahut të majtë.
E deri në fundin e pjesës së parë e pamë edhe një gol. Për 2-1 të Dukagjinit shënoi Altin Merlaku nga pika e bardhë (44’) dhe pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Gjatë gjithë pjesës së dytë më asnjëra skuadër nuk arriti të shënojë dhe kështu ndeshja u mbyll me fitoren e Dukagjinit.
Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku sot mori një fitore tejet të rëndësishme në luftën për mbijetesë, kurse kriza e Prishtinës vazhdon të thellohet.
Xhiron që vjen, Dukagjini i shkon Ulpianës, kurse Prishtina i shkon Niklit.