Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PLAKJA E GJENERATËS

(NB)Apokalipsi

(NB)Apokalipsi


Shkruan: Luan MORINA

20 January, 2016 @18:15

Sikur parandieja se Kobe do të kumtonte pensionimin e tij derisa shikoja dokumentarin e tij ‘The Muse’. Më bëri të mendoja se sa i varfër do të jetë basketbolli me largimin e njërit nga më të mirët që ka luajtur këtë lojë, ndër më të mirët që kam parë në jetën time.

Dhe pak ditë më vonë, edhe zyrtarisht Kobe vendosi ti var këpucët për të mos shkelur parketin në muajin maj. Edhe pse nuk jam fans i Lakers (përkundrazi, ndoshta ‘armik’ me ta për shkak të ekipits që përkrahi), respekti për madhështinë e Kobet kurrë nuk ka munguar. Nuk mund të mungoj nga një basketboll-dashës i vërtetë. 

Për gjeneratat që mbajnë mend basketbollin e pasluftës, që edhe tek ne ka qenë një periudhë rilindëse, Kobe është një nga më të mirët që ka ekzistuar. Për shumicën edhe arsyeja pse kemi aq shumë fansa të Lakers këtej. Së paku unë njoh shumë. Pensionimi i tij do të lë një zbrazëtirë për neve basketbolldashësit përkundër faktit që viteve të fundit, sa për vendimet e këqija të udhëheqësve të Lakers, sa për shkak të lëndimeve, prezenca e tij ka qenë afër minimales. Ama Kobe mbetet Kobe. Për dikë edhe mund ta definojmë Koben me basketbollin.

Por, nuk është i pari që largohet, e nuk do të jetë as i fundit. Dhe kur shohim listën e disa lojtarëve që po prekin dekadën e pestë të jetës së tyre, atëherë mësojmë se eksodi i largimeve të yjeve nga NBA veç sa ka filluar. Kobe është i pari, por të tjerët janë nisur kësaj rruge. 

Për dy-tri vitet e ardhshme nga basketbolli me gjasë do të pensionohen edhe Nowitzki, Duncan, Pierce, Carter, Ginobili, Garnett...  

Të gjithë këta janë ‘fajtorë’ pse Mavs, Spurs, e sidomos Celtics kanë fansa të mëdhenj tek ne. Kuptohet që ekipi mbetet ekip, ama gjithnjë ekziston një arsye pse lidhemi me një ekip. Kjo arsye për shumëkënd kanë qenë edhe këta emra. Për neve që nuk jemi fansa të tyre, këta emra kanë rritur respektin që kemi për këto ekipe. 

Në momentin që do të pensionohet, fansat e Dallas do të kujtojnë mrekullitë e Nowitzkit i cili kur ishte në zjarr nuk huqte nga asnjë pjesë e terrenit. Ata të Spurs do të kujtojnë Duncanin dhe thjeshtësinë e tij prej lojtari, Ginobilin dhe gjuajtjet e tij përfundimtare. E më së keqi do ta përjetojnë padyshim fansat e Celtics të cilët tashmë kanë humbur nga loja aktive të parin nga treshja e dytë e madhe e këtij ekipi. Pa marrë parasysh se ku luajnë për momentin, Pierce e Garnett kurrë s’kanë qenë e s’do të jenë si atëherë kur ishin Celtics, sidomos Pierce. E ngulitjet nuk kanë shijen, emocionet, çmenduritë si atëherë kur Vince Carter ziente recetat. 

Do të jetë një periudhë tranzicioni. Fansat e Lakers, Celtics, Mavs, Spurs, në përgjithësi fansat e basketbollit do të ndjejnë një nostalgji. Por, në të njëjtën kohë edhe një krenari. Do të kenë çfarë tu tregojnë nipave e mbesave pas disa dekadave. Do të flasim për këta sikur na kanë folur neve për Jordanin, Magicun, Birdin, Drazenin…

 


 
Të gjitha lajmet nga NBA