BLERIM MAZREKU
Në mes të Prishtinës dhe Pejës
5 September, 2014 @19:06
Njëri prej basketbollistëve më të mirë në Kosovë, Blerim Mazreku, ende nuk ka vendosur se për cilën skuadër do të luajë.
Për qendrën therandase kanë shprehur interesim Sigal Prishtina dhe Peja, të cilat tashmë kanë bërë ofertat e tyre dhe po presin përgjigjen e basketbollistit.
“Ende nuk kam vendosur ku do të luaj. Po stërvitem individualisht, sepse dua të jem i gatshëm për fillimin e edicionit. Kam oferta nga Sigal Prishtina dhe Peja, të cilat jam duke i shqyrtuar, por ende nuk jam përcaktuar. Ajo skuadër që ofron kushte më të mira do të ketë përparësi,” ka thënë Mazreku për të përditshmen sportive, Arena.
Basketbollisti 33 vjeçar në stinorin e fundit kishte luajtur për Sigal Prishtinën, me të cilën ka pasur mesatare prej 14.3 pikëve dhe 5.6 kërcimeve për ndeshje në Superligë.