MBYLLET AVENTURA PËR KËTË STINOR
Në ndeshje ndaj Eniseyit, me mendje te Peja
23 November, 2016 @9:33
Sigal Prishtina sonte do të zhvillojë përballjen e fundit të saj për këtë stinor në FIBA Europe Cup.
Ekipi kampion shpreson të shënojë fitoren e parë dhe të vetme të stinorit para se përshëndetet nga gara, ku qëllim e ka pasur kalimin në fazën e dytë në stinorin e dytë të pjesëmarrjes aty.
Sidoqoftë, trajneri kroat i ekipit, Jeronimo Sarin, ka qenë i qartë në deklaratën e tij para duelit. Ekipi do të dalë në fushë për fitore, por me mendje është te rivali i madh i Superligës, Peja.
“Ne do të hymë në ndeshje ndaj Eniseyit për fitore, sikurse në çdo ndeshje tjetër. Megjithatë më e rëndësishme se fitorja ndaj Eniseyit, është që të përgatitemi sa më mirë për derbin kundër Pejës që e kemi xhiron të vjen në fundjavë dhe pastaj për ndeshjet e BIBL që do t’i luajmë javën tjetër,” ka thënë Jeronimo Sarin për faqen zyrtare të FBK-së.
Dueli i parë, ndërmjet Eniseyit dhe Sigal Prishtinës ka qenë tejet interesant, duke shkuar deri në vazhdime ku krejt në fund me rezultat minimal fitoi skuadra ruse, 102-101.
Nga grupi i Sigal Prishtinës në FIBA Europe Cup aktualisht janë kualifikuar Demir Insaati turk dhe Eniseyi rus, ndërsa Rilski Sportisti bullgar është në pritje të rezultateve tjera në grupet përkatëse për të shikuar mundësinë për tu kualifikuar si i treti më i miri.
TABELA AKTUALE E GRUPIT H:
1 | Demir Insaat (TURQI) | 4-1 | ||
2 | Enisey (RUSI) | 4-1 | ||
3 | Rilski (BULLGARI) | 2-3 | ||
4 | Prishtina (KOSOVË) | 0-5 |