RAHOVECI apo TREPÇA
Nesër vendoset skuadra e fundit e Final Fourit
30 January, 2017 @22:57
Me përballjen ndërmjet debutuesit në Superligë, Rahoveci dhe ekipit mitrovicas Trepçës, nesër mbrëma do të vendoset pjesëmarrësi i fundit i Final Fourit të Kupës së Kosovës në basketboll.
Dueli zhvillohet në palestrën “13 qershori” të Suharekës ndërsa nis në ora 19:00 dhe është çerekfinalja e fundit e mbetur pa zhvilluar.
3 EKIPE E KANË SIGURUAR
Më parë, Final Fourin e kanë siguruar skuadrat që tradicionalisht marrin pjesë aty: Peja, Sigal Prishtina dhe Bashkimi. Peja mposhti Dritën në çerekfinale, Sigal Prishtina Yllin, ndërsa Bashkimi Vushtrrinë.
Final Fouri i Kupës së Kosovës është caktuar të zhvillohet më datat 17-19 shkurt 2017, mirëpo vendi organizator ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht nga FBK, ndërsa afati për aplikim tashmë ka përfunduar.
KUPA E KALUAR
Në stinorin e kaluar Sigal Prishtina ka qenë organizatore e turneut final të Kupës, ndërsa vetë bardhekaltërit e fituan Kupën, duke e mposhtur Pejën në finale me treshen e ëillie Kempit në sekondat e fundit të ndeshjes.
Sigal Prishtina, Peja, Bashkimi dhe Trepça kanë qenë pjesëmarrëse edhe në stinorin e kaluar në turneun final të Kupës.
MUNDËSIA
Në rast se Rahoveci arrin të mposht Trepçën nesër mbrëma, ky do të ishte suksesi më i madh në histori të klubit, pasi që kurrë më parë nuk kanë pasur arritje të tillë.
Ndërkaq Trepça, për herë të fundit Kupën e Kosovës e kishte fituar në vitin 2012, kur triumfoi ndaj Bashkimit në “Karagaç” të Pejës, e udhëhequr nga dyshja kryesore në parket: Drilon Hajrizi dhe Jaleel Nelson, ndërsa në bankë ka qenë kryetrajneri kroat, Neven Plantak, që u shkarkua këtë stinor nga detyra për të ardhur greku i tashëm Dimitris Papadopoulos.