FLAMURTARI MERR PIKË SI MYSAFIR!
Një gabim, ia mohon fitoren Dinamos ndaj Flamurtarit
27 November, 2024 @19:57
Dinamoja e Ferizajit pas pjesës së parë 0-0 ndaj Flamurtarit ka avancuar thuajse menjëherë me të nisur pjesa e dytë. Ka qenë Kenan Orana, që shënoi për epërsinë e ekipit të Burim Qerkinit, pasi që u asistua nga Genc Berisha. Dinamoja në ndërkohë ka pasur edhe një gol të anuluar nga gjyqtari i ndeshjes, kur Daniel Tette kishte shënuar - e nga referi u konsiderua si pozitë jashtë loje!
Mirëpo, në fund rezultati ishte Dinamo - Flamurtari 1-1 [Kenan Orana 48’ - Enes Duraku 88’]. Kjo, pasi që një gabim në mbrojtje, në tentim kthimi topin prapa, bëri që Flamurtari të shënojë gol në portë të zbrazët dhe për të marrë një pikë shumë të rëndësishme në luftë për mbijetesë.
Mysafirët për herë të parë këtë stinor kanë dalë nga fundi i tabelës, pas një nisme prej shtatë hubmjesh radhazi! Flamurtari është këndellur me ardhjen e Erdin Hashanit trajner, ndërsa prej atij momenti ekipi ka mbledhur 9 pikë! Aktualisht, pas 14 xhirosh Flamurtari shkon në pushim dimëror me 9 pikë nga 14 ndeshje, për mometin i parafundit në tabelë. Ndërkaq Dinamoja bën hap prapa në luftë për së paku playoff të Superligës, pasi që mbetet 4 pikë larg nga Vushtrria në pozitë të dytë.
Ekipi ferizajas shkon në pushim dimëror në pozitë të tretë, ndërsa pas 14 ndeshjeve ka 26 pikë, me goldallim pozitiv, +11.