LIDERË VJESHTOR!
Prishtina e Re dimëron e qetë si lidere e vjeshtës
27 November, 2024 @19:13
Prishtina e Re nuk ka lënë vend për befasi sot si vendas në ndeshje ndaj Vjosës, ku mysafirët dy herë morrën epërsinë, ndërsa në fund u mposhtën: Prishtina e Re - Vjosa 3-2 [Fatih Ismaili 18’, Endrit Baholli 38’, Samir Sadriu 66’ - Edi Makustaj 10’, Erion Hasani 30’].
Katër gola u shënuan vetëm në pjesë të parë të ndeshjes, ku golat rridhnin shpejtë, ndërsa Vjosa avancoi dy herë, me Edi Makustajn dhe me Erion Hasanin, por vendasit barazonin me Fatih Ismailin që u asistua prej Endrit Bahollit, e ky i fundit barazoi në 2-2, pas asistimit të golashënuesit më të mirë të ekipit, Astrit Berisha.
Në pjesë të dytë ndeshja më e kontrolluar nga vendasit dhe goli i Samir Sadriut e vendosi fituesin, derisa Prishtina e Re do të dimërojë në krye të Ligës së Parë - Grupi B me 5 pikë më shumë sesa ndjekësja e parë, Vushtrria.
Prishtina e Re, që po synon titullin në Ligë të Parë - Grupi B dhe kalimin direkt në Superligë, pas 14 ndeshjeve të para të stinorit ka 35 pikë, ndërkaq Vjosa e gjashta në rendijte mbetet në 15 pikë dhe si skuadra e vetme në Ligë të Parë pa asnjë barazim!