LINDJE
Një hap larg finales
26 May, 2016 @5:12
Pa emocione të mëdha dhe pa histori për t’u mbajtur mend u zhvillua ndeshja e pestë e serisë finale mes Clevelandit dhe Torontos. Vendasit nga Ohio e dominuan takimin që nga fillimi dhe nuk lejuan për asnjë moment që fitorja e tyre të rrezikohet. Me fitoren e arritur sonte, Clevelandi është në avantazh 3-2 nga 5 ndeshjet e para dhe i duhet vetëm një fitore për t’u kualifikuar në finalen e përgjithshme.
Pjesa e parë
Me Toronton që në pjesën e parë kaloi afro 8 minuta pa shënuar nga loja dhe me dyshen Lowry-DeRozan që ishte totalisht e zhdukur në terren, Clevelandi arriti ta mbyllë pjesën e parë me 31 pikë epërsi, në një pjesë ku Kevin Love ishte plotësisht i saktë, si nga loja, ashtu edhe nga gjuajtjet e lira. Pjesë të parë të shkëlqyeshme zhvilloi edhe LeBron James me 12 pikë, 6 kërcime e 6 asistime.
Vlen të përmendet fakti që epërsia e arritur 31 pikë pas pjesës së parë është epërsia më e lartë e arritur në kuadër të finaleve të konferencave në NBA. Gjithsesi, kjo epërsi u thellua edhe më tepër në pjesën e dytë.
Pjesa e dytë
Në pjesën e dytë, Cavs e ngritën epërsinë deri në 40 pikë dhe kjo bëri që Tyron Lue në çerekun e katërt ta pushojë treshën e madhe Love-Irving-James, duke inkuadruar në parket një skuadër që ka luajtur shumë pak minuta në playoff këtë sezon.
Ndeshja u mbyll me epërsi prej 38 pikëve. LeBron James takimin e mbylli me 23 pikë, 6 kërcime e 8 asistime. Kevin Love dhe Kyrie Irving patën 25 pikë, 2 kërcime e 2 asistime, respektivisht 23 pikë, 3 kërcime e 3 asistime.
Në anën tjetër, më i dalluari ishte argjentinasi Scola me 25 pikë të shënuara, ndërsa dëshproi totalisht DeRozan me vetëm 7 pikë.
Ndeshja e ardhshme luhet në Toronto, takim në të cilin seria mund të mbyllet totalisht me një fitore të mundshme të Clevelandit. Në rast se fiton Toronto, do të ketë takim të shtatë në Cleveland.