OKLAHOMA CITY THUNDER
W’brook & Durant fantastik, Oklahoma ngrit epërsinë
25 May, 2016 @8:27
Russell Westbrook përfundoi ndeshjen me triple-double, ndërsa Kevin Durant me double-double.
Oklahoma City Thunder prej këtij momenti udhëheq 3-1 serinë finale të Konferencës Perëndimore dhe është pranë eliminimit të ekipit historik dhe kampionit aktual, Golden State Warriors.
Dyshja fatale
Westbrook është treguar fantastik sot në përballjen e zhvilluar në Chesapeake Arena, duke shënuar 36 pikë, 11 kërcime, 11 asistime si dhe duke kontribuuar me 4 vjedhje topi.
Durant ka qenë gjithashtu në nivel të lartë të lojës. Ai shënoi 26 pikë, kreu 11 kërcime të suksesshme, ndërsa dhuroi 4 asistime dhe vodhi 4 topa nga rivali për fitoren 118-94 ndaj Warriors.
Golden State Warriors në çerekun e dytë, besoni apo jo, pranoi 42 pikë në koshin e saj.
A është i lënduar Curry?
MVP i stinorit, Stephen Curry, nuk ndezi përsëri. Shuti i tij ishte jokarakterstik sot në krahasim me përballjet e stinorit të rregullt.
Bile, trajnerit Steve Kerr iu bë pyetja nëse Curry është i lënduar.
“Jo. Nuk është i lënduar. Ai po kthehet nga lëndimi që e pati. Nuk e kishte natën e vetë. Kjo ndodh. I ndodh edhe më të mirëve në botë,” kanë qenë fjalët e Kerrit pas ndeshjes.
Sidoqoftë, Golden State Warriors duken optimist para lojës së radhës që zhvillohet në shtëpinë e tyre.
“Do të mblidhemi në shtëpi dhe do t’ua rikthejmë goditjen. Do të fitojmë dhe do t’i fusim ata në presion,” ka thënë Kerr.
Curry tentoi 10 dhe shënoi 2 treshe në lojë, duke e përfunduar takimin me 19 pikë të shënuara, ndërsa më efikasi ishte Klay Thompson me 26 sosh.
Në finalen e madhe të NBA-së kualifikohet skuadra që arrin së pari 4 fitore. Tashmë, Thunder ka epërsi 3-1 dhe ndeshja e radhës zhvillohet te Warriors.