EKSKLUZIVE

REUTERS/Suzanne Plunkett
Mbeten në maje të Evropës
13 May, 2013 @9:23
Ekskluzivisht për Borozani.com, shkruan Blerim Myftiu
Se shpirti sportiv, në veçanti ai basketbollistik, nuk ushqehet me para, ridëshmoi Olympiacosi. Po ashtu, se suksesi në aspektin e rezultateve nuk varet nga monedha e gjelbër. Të pandikuar nga trysnia financiare e BE-së, nga kufizimet buxhetore të cilave pashpëtimisht edhe klubet sportive greke u desh t’i nënshtroheshin, basketbollistët e paralagjes athinase e shtynë edhe për një vit agjërimin e Real Madridit për titullin e më të mirit në Evropë (do të bëhen 19).
Klubi i themeluar më 1931, u stolis për të tretën herë me titullin e kampionit të Evropës. U bë klubi i parë pas Maccabit më 2005, i cili e mbrojti atë; gjithsej i gjashti. Për të parën herë, doli ta fitojë trofeun pa u udhëhequr nga Ivkovici. Ky është e nënta herë që trofeu fitohet nga klubet greke, duke u bërë shteti i tretë pas Italisë (13) dhe Spanjës (11) me më së shumti trofe të fituara.
Olympiacosi, vjet në finalen e Stambollit, u kthye nga -19 pikë në çerekun e tretë për ta mposhtur CSKA-në moskovite me shënimin në sekondën e fundit të Printezisit. Sivjet, nuk kishte nevojë për shënim të sekondës së fundit. Grekët e shijuan fitoren deri në kafshatën e fundit, mirëpo rikthimi ishte i ngjashëm me atë të vjetëm. Fillimi furioz i Realit dhe përmbyllja e çerekut të parë me 17 pikë epërsi (27-10) doli të ishte paralajmërim se i priste fati i njëjtë me atë të gardës ruse.
Ritmi i rikthimit filloi të ndihej që në çerekun e dytë, u kompletua në të tretin dhe u kurorëzua në të katërtin. Ekipi i Bartzokasit arriti që për 30 minutat e mbetura të lojës të shënonte plot 90 pikë – vetëm në çerekun e fundit, 39 sosh! Pas gjysmëlojës së përmbyllur në -4, Spanoulis u përkujdes për përmbysjen e rezultatit vetëm pas 5 minutash në çerekun e tretë (52-46). Lartmadhëria e tij e përmbylli pjesën e parë pa pikë, por 5 treshet dhe 22 pikët e tij, mbi të gjitha organizimi maestral i lojës, bënë që për të dytën herë radhazi të shpallet lojtari më i dobishëm (MVP) i turneut final.
Fundi i çerekut të tretë ishte hera e fundit kur rezultati ishte baras (61-61). Në diçka më pak se 5 minuta lojë, epërsia kishte arritur atë maksimale, 84-70. Mini-seria madrilene (6-0) u ngufat me treshen e Spanoulisit 1.30 minuta para fundit, që bëri që pjesa e mbetur e ndeshjes të shndërrohet në formalitetin e gabimeve personale taktike.
Rikthimi në shpirtin sportiv
Vëllezërit Panagiotis dhe Giorgos Angelopoulos, pasuria e kombinuar e të cilëve vlerësohet të jetë rreth 5 miliardë dollarë, patën investuar hiç më shumë se para dy vjetësh miliona euro duke sjellë bashkë në ekip yllin e NBA-së, Josh Childress dhe ata evropianë, Papaloukas, Teodosic, Bourousis dhe Nesterovic. Me ta në ekip, Olympiacos qe mposhtur nga rivali i përbetuar në ligën vendore, Panathinaikos dhe nuk kishte depërtuar përtej çerekfinales në Euroligë.
Nën ndikimin edhe të krizës financiare, në fillim të stinorit të vjetëm, buxheti i Olympiacosit u reduktua dukshëm. Ivkovicit iu la në dorë një ekip i përbërë nga të rinjtë grekë – Papanikolaou, Printezis, Sloukas, Mantzaris, të arnuar me Anticin maqedon, Law, Hines dhe Dorseyn amerikanë, si edhe të udhëhequr padyshim nga virtuozi i lojës, Spanoulis. Kush priste vjet që Olympiacosi të triumfonte?
Në fillim të këtij stinori, Ivkovici u largua. Ndonjë përforcim i zëshëm mungoi edhe sivjet. Megjithatë, pasardhësi dhe jo fort i mirënjohuri përtej kufijve të Greqisë, Bartzokas, e kishte trashëguar kompaktësinë që e bëri atë trajnerin e parë grek që e fitoi titullin e kampionit evropian (në tetë të mëparshmit, në stolin e klubeve greke qëndronin trajnerët serbë – Maljkovic (1), Obradovic (5) dhe Ivkovic (2)).
Toka e pëlleshme e playmakerëve
Truri, ideatori, dirigjenti, me precizitet shqiponje, me depërtueshmëri luani, i ashtuquajturi “V-Span” apo “Kill Bill” – nuk janë shprehje të tepërta për Spanoulisin. Në vitin 2010 erdhi nga Panathinaikosi për të shpëtuar nga hija e Diamantidisit, fiton rreth 2.5 milionë euro në vit, por pa të në ekip, vështirë se kuq-bardhët do t’i mbërrinin këta dy titujt.
Ai është një shëmbëlltyrë, model tjetër i plejadës së playmakerëve që ia ka dhuruar Greqia basketbollit. Emblemat e ngjalljes së basketbollit grek në hartën evropiane, aty nga vitet 80-të, ishin pikërisht homologët e Spanoulisit për nga pozita në të cilën luan. Tandemi i mrekullueshëm i Arisit të Selanikut, Nikos Galis dhe Panagiotis Giannakis, janë mostrat e para të “njëshit grek” – ideator, lider i pakompromis në fushë dhe mbi të gjitha “mbytës” me treshe.
Të udhëhequr nga ta, të ndihmuar nga Fasoulasi shtatlartë dhe Christodoulou, Greqia arrin në vitin 1987 titullin e parë evropian në konkurrencën e kombëtareve. Në një të kaluar të afërt, modeli grek i “njëshit” përfaqësohet nga Papaloukas (ende aktiv), që e udhëheq Greqinë drejt titullit të dytë më 2005.
Kurse tanimë, Dimitris Diamantidis tok me Spanoulisin, janë pa diskutim më të mirët prej fundorëve evropianë. Supremacinë e tyre në basketbollin evropian dëshmon edhe fakti që në 8 turnetë e fundit përfundimtare të Euroligës, lojtarë më të dobishëm 6 herë janë zgjedhur Spanoulis (3), Diamantidis (2) dhe Papaloukas (1).
Perspektiva?
Stinori i sivjetmë i Euroligës u karakterizua nga ndryshimi i formatit të garave. Pas pjesës së parë me 6 klube të ndarë në 4 grupe, nga të cilat grupe 4 të parët kalonin në TOP16, në këtë të fundit klubet u ndanë në dy grupe me nga 8 skuadra. Kjo bëri që të përcillen shumë më tepër ndeshje se sa në të kaluarën (4 grupe me nga 4 skuadra), gjë që ia hapi rrugën një kalendari më të ngjeshur dhe vende-vende, ankesave për neglizhencë të ligave kombëtare. Derisa sistemi i vjetër krijonte mundësi edhe për befasitë e kohëpaskohshme, TOP16-shi më i gjatë bëri që ekipet favorite, duke pasur numër më të madh ndeshjesh për të luajtur, herët a vonë të këndelleshin dhe të renditeshin në katër pozitat e para katapultuese për play-off.
Mbetet si gjithmonë dilema e fundit dhe duket e përjetshme (ngjashëm me atë të penalltive në futboll) se sa e drejtë është që kampioni të përcaktohet me një turne treditësh dhe dy ndeshje. Marrë parasysh dominimin e Barcelonës (22 fitore në 24 ndeshje) dhe të CSKA-së gjatë tërë stinorit dhe mbetjen duarbosh në fund të tij, shndërrimi edhe i gjysmëfinales dhe finales në formë play-offi mbase do të ishte forcë argumentuese për favorizuesit e këtij opsioni. Për mua, që i takoj brezit të rritur me emocionin e final-fourit, gjurma që lë kjo ngjarje, sallat gjigante të ndara në dysh, secila me ngjyrë të ekipit të vetë, ndihmuar edhe nga refuzimi (sigurisht i pabazë) për ndryshime, është prej të veçantave të botës.