RAHOVECI LARGON AMERIKANËT
Operacioni: “Fshesa”
24 December, 2019 @18:43
Përmes një komunikate të lëshuar në llogarinë e ekipit në Facebook, KB Rahoveci ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me basketbollistët amerikanë të ekipit: Javis Howard, Christian Bradford dhe Josh Davis.
Vreshtarët pas nisjes së mirë të stinorit dhe qëndrimit për disa javë në krye të klasifikimit, kanë pësuar një rënie të papritur dhe kanë kryer pjesën e parë të stinorit në pozitë të dytë të klasifikimit me bilans të njëjtë sikurse Bashkimi në të tretin.
“Në kuadër të diskutimeve dhe analizave të pjesë së parë të sezonit dhe ndryshimeve qe po merren për vazhdimin e kampionatit, KB Rahoveci me marrveshje ka liruar nga angazhimi tre basketbollistët amerikan, Christian Bradford, Javis Howard dhe Josh Davis. Bordi i falenderon për angazhimin dhe i dëshiron suksese në të ardhmen. Ditëve të ardhshme po ashtu do të ketë konfirmim për transfere të reja dhe përgatitjet për vazhdimin e sezonit kanë vazhduar pa pushim. Për të gjitha detajet do të informoheni me kohë,” është thënë në njoftimin zyrtar të ekipit.
Për të qenë gjërat edhe më kritike, ekipi ka arritur të shënojë vetëm një fitore në stinorin debutues në BIBL, ku është pritur më shumë nga lojtarët.
Në ndërkohë vreshtarët kanë paralajmëruar ndryshime në ekip, derisa trajneri i cili erdhi në gjysmë të stinorit Marjan Ilievski do të mbetet i paprekshëm edhe për pjesën e dytë të stinorit.