RRON GRAPCI
Organizatori synon finalen historike
26 February, 2019 @14:22
Pas shumë vitesh pritjeje, KB Rahoveci është bërë me palestër funksionale për garat e Superligës.
Mizair Isma pritet të shpërthejë nga brohoritjet e vreshtarëve në ndeshjet që do të luhen aty, ndërsa për Final 8 të Kupës së Kosovës, ekipi ka vënë synim hiq më pak sesa finalen e Kupës.
Kapiteni i ekipit të Rahovecit, Rron Grapci në konferencë për shtyp para fillim të Final 8 të Kupës ka thënë se ekipi shpreson që të realizojë këtë synim.
“Ne jemi shumë të lumtur që do të luajmë në palestrën tonë dhe para tifozëve tanë. Jemi përgatitur maksimalisht si ekip për të gjitha ndeshjet dhe shpresojmë që të fillojmë me këmbë të mbarë në palestrën e re. Synimet e KB Rahoveci janë sigurimi i një vendi në finale. E dimë mjaft mirë se nuk do të jetë aspak lehtë, por ne besojmë se edhe me përkrahjen e tifozëve tanë do t’ia dalim që me sukses ta realizojmë këtë synim,” ka thënë basketbollisti pejan.
ORARI I NDESHJEVE dhe SKEMA E KUPËS
Rahoveci në çerekfinale do të ndeshet me ekipin e Ligës së Parë, Don Bosko. Ndërsa në rast se arrin të kalojë këtë fazë në gjysmëfinale e pret fituesi i ndeshjes Prizreni - Bashkimi.
Në sezonin e kaluar Rahoveci kishte kaluar nga çerekfinalja në gjysmfinale duke e mposhtur Kerasan Prishtinën, kurse në gjysmëfinale u eliminua nga Bashkimi me rezultat 76-93.
Gjithashtu, vlen të përmendet se për herë të parë FBK-ja në Final 8 do të ndajë edhe medaljen e bronztë, ku do të ndeshen dy humbësit e ndeshjeve gjysmëfinale.