FERONIKELI - LLAPI

Foto: FC Llapi / FB
Pa probleme për Llapin, Nikli matematikisht në Ligën e Parë
23 April, 2022 @15:53
Një fitore e pritshme për Llapin në Drenas sot, e treta me radhë në Superligë!
Skuadra e Tahar Batatinës e mposhti sot Niklin vendas me rezultat 0-2 (Edon Sadriu 5’, Festim Alidema 19’), duke bërë që Nikli që nga sot ta sigurojë edhe matematikisht rënien në Ligën e Parë sezonin tjetër.
Ndonëse kishte pushuar disa lojtarë që janë startues të rregullt, skuadra e Llapit shënoi dy herë brenda 20 minutave të parë të ndeshjes, për t’ia lehtësuar vetes gjërat herët.
Për 0-1 shënoi Edon Sadriu, i shërbyer nga Alban Shillova, në minutën e 5’, e më pas për 0-2 shënoi Festim Alidema, i shërbyer nga Valmir Veliu, në minutën e 19’.
Në vazhdim të ndeshjes, përkundër rasteve të krijuara, më gola nuk pati për asnjërën skuadër dhe kështu ndeshja u mbyll me rezultatin e pjesës së parë, 0-2 pas 90 minutave lojë.
Kur kanë mbetur 6 xhiro para fundit, Feronikli tashmë nuk ka gjasa as matematikisht për shpëtim, kurse Llapi momentalisht është i katërti në Superligë. Për skuadrën nga Drenasi ky do të jetë rikthimi i parë në Ligën e Parë pas 10 viteve të kaluara në Superligë.